Apeli i Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion vendosi të rrëzojë sërish kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, për ndryshim të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 03.05.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 96 akti, datë 25.04.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim/ankues S.B. dhe J.M., me objekt:
“Ankim ndaj vendimit nr. 200 akti, datë 08.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (disponuar mbi kërkesën me objekt zëvendësimin e masës së sigurimit personal)”, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 200 akti, datë 08.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar“, thuhet në komunikimin për mediet.
Kujtojmë se Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi ndodhen prej muajsh në masën arrest shtëpie.
Ish-kryeministri Berisha akuzohet për korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim, lidhur me privatizimin e ish kompleksit Partizani, ndërsa Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim dhe Pastrim i Produkteve për të njëjtën dosje.















