Një tjetër rrjedhë tronditëse ka marrë ngjarja e ndodhur një natë më parë në kryeqytet, ku katër të rinjtë, mes tyre dy djemtë e presidentit të “Pelikan Security”, Vesel Demirajt, ranë pre e një atentati të frikshëm. Gazetarja Klodiana Lala ka raportuar së fundmi se shënjestër e këtij atentati nuk ka qenë asnjë nga personat të cilët ndodheshin në automjetin tip “G-Class”. Por, nga informacionet e grumbulluara deri më tani thuhet se vrasësit me pagesë kanë ngatërruar shënjestër.
Mësohet se automjeti që përdor bashkëshortja e Brahimit është e njëjtë me atë që përdornin katër të rinjtë. Hetuesit dyshojnë se grupi i vrasësve me pagesë kanë pasur të programuara dy plane, eleminimin e disa familjarëve të familjes Prendi. Pra, ekzekutimin e babait të Roan Brahimit, 64-vjeçarin Gjovalin Prendi dhe të bashkëshortes së 32-vjeçarit i cili u vra një vit më parë në mes të Athinës. Gjatë atentatit të parë, autorët arritën objektivin, duke ekzekutuar me breshëri plumbash Gjovalin Prendin, ndërsa për bashkëshorten e Brahimit, koincidenca e ngjashmërisë së makinës ka bërë të ngatërrohet tërësisht objektivi.
Burime për mediat bëjnë me dije se gruaja e Roan Brahimit jeton në të njëjtën lagje me familjen e presidentit të “Pelikan Security”, Vesel Demirajt.