Ishte një kohë kur dilja në ballkon dhe në oborrin ngjitur shikoja xhaxhain dhe gjyshen time duke biseduar. Me zë të lartë i përshëndesja dhe vazhdoja ditën. Sa të shumta qenë herët që dita fillonte dhe mbaronte në atë oborr plot me bar e lule dele. Por…jeta ndodh. Ata, njëri pas tjetrit iu bashkuan parajsës, engjëjt e parë që më bënë të besoj se ka botë të përtejme.
Më vonë, për vite me radhë bëja biseda me zë të lartë me hallën që banonte në shtëpinë poshtë të tyres. E qeshura e saj e bukur mund të dëgjohej nga qyteti në qytet. Halla pëlqente edhe më shumë bisedat në oborrin e saj, ku na ngrohte me verë e ngopte me byrek e petulla.
Shumë herë më duket sikur ia dëgjoj të qeshurën prej qiellit.
Përballë shtëpisë së nuses së dashur të xhaxhait, banon tezja ime. Nga cepi i divanit të saj, ngjitur me dritaren shihet qartazi shtëpia ime. Një ditë duke ecur në shkallët e mermerta, rrëshqita dhe u rrëzova. U çova me vrap, e pa parë se mos u vrava, kontrollova me sy se mos më pa njeri. (Ta dija kujt t’i ruhesha prej shpotive dashamirëse në të ardhmen).
Pas disa ditësh, burri i tezes sime, ai që unë e quaja Paskuale më tha:”mos kujto se nuk të pa kush atë ditë që u rrëzove”…sigurisht duke qeshur. Si çdo herë në bisedat ballkon më ballkon, apo në orët e gjata në tavolina e mbi tavolina duke kërcyer e lotuar prej t’qeshmes. Sa shumë kujtime. Kujtime që prej pak ditësh i luaj me mendje, me lot e pa lot, por tashmë të trishtë.
Shumë ikje të njerëzve të përditshmërisë së dikurshme, po i përjetoj në emigracion. Sa e vështirë të besosh që njerëzit nuk janë më deri kur kthehesh në atë lagje dhe ballkonet përballë nuk e kanë më jetën e dikurshme.
Ballkonit të shtëpisë në Tiranë dhe zemrës sime çdo vit e nga pak i humbet gjallëria e shtëpive përreth. Toka zvogëlohet, por qielli po zmadhohet. Paçi paqe dhe hare në atë botë, ekzistenca e së cilës na e bën jetën më të përballueshme pa ju.
🙏🏻🥲❤️