Një ditë pas vendimit të Gjykatës Federake të Uashingtonit e cila dënoi me 28 muaj burgim ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, pasi mori 225 mijë dollarë dhe fshehu e kontaktet me zyrtarët e Shqipërisë, ka ardhur deklarata e fortë e kryetarit të PD Lulzim Basha, I cili përvec lidhjeve të Ramës me McGonigal tha se ish-zyrtari I FBI-së është I përfshirë edhe në aferën e inceneratorëve.
Në një konferencë të majtur sot, e cilësuar si e jashtëzakonshme, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas dënimit të ish-zyrtarit të FBI, Charles McGonigal me 28 muaj burg.
Pasi tha se Edi Rama ‘shpifi dhe e sulmoi padrejtësisht’ për çështjen McGonigal, Basha nënvizoi se drejtësia amerikane e tha fjalën e saj, duke dëshmuar se ai nuk kishte lidhje.
Më tej Basha tha se ka prova se McGonigal është i përfshirë edhe në aferën e inceneratorëve, duke theksuar se javën që vjen do të ketë edhe një kallëzim në SPAK.
Deklarata e Bashës:
Që nga 2005 ku i jam bashkuar politikës kam qenë njeriu më i sulmuar dhe për fat të keq jo vetëm nga kundërshtari politik. Por gjithmonë kam besuar se e vërteta sado të zhytet, kurrë nuk do të mbytet. Dhe ja ku jemi sot, gjithçka ka dalë në dritën e diellit. Gjithë balta, llumi shpifjet dhe mashtrimet u janë kthyer dhe përplasur në fytyrë autorëve të këtij operacioni kriminal.
Por pas një investigimi bazuar në fakte dhe prova është zbuluar edhe një e vërtetë tjetër kriminale. Duart e McGonigal gjenden edhe në aferën e inceneratorëve. Pagesat dhe shpërblimet ndaj tij janë shumë herë me shumë se sa kanë dalë në publik. Prandaj kjo çështje nuk do të mbyllet me kaq.
Në ditët në vijim do të paraqesim në detaje të gjitha lidhjet e aferës McGonigal me aferën e inceneratorëve. Me emër e mbiemër të gjitha do ti depozitojmë ne SPAK krahas kallëzimit të paralajmëruar tashmë për përfshirjen personalisht të Edi Ramës në aferën e inceneratorëve siç e ka rrëfyer numri 2 i tij, Arben Ahmetaj.
28 muaj burg për ish-zyrtarin e FBI-së McGonigal ,
Zëri Amerikës (VOA) bën me dije se Gjykata federale e Uashingtonit dënoi sot me 28 muaj burgim ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Nezaj dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë me kryeministrin Edi Rama.
Sipas prokurorëve të çështjes, zoti McGonigal jo vetëm nuk kishte deklaruar marrjen e parave, por kishte avancuar interesat e biznesit të zotit Nezaj dhe gënjeu FBI-në për aktivitetet e tyre të përbashkëta, duke fshehur kështu faktin që ai kishte konflikt interesi dhe interesa financiare private.
“Kjo përbën në thelb korrupsion që minon transparencën dhe besimin në integritetin e Degës Ekzekutive të qeverisë. I pandehuri ishte betuar se do të hetonte dhe parandalonte krimet kundër Shteteve të Bashkuara dhe jo t’i kryente ato”, thuhet në dokument.
Në shtator zoti McGonigal pranoi fajësinë në gjykatën federale në Uashington, në lidhje me të gjitha akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet e paraportuara me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe këshilltarin jozyrtar të kryeministrit, Dorian Duçka.
Pranimi i fajësisë u bë në bazë të një marrëveshjeje mes prokurorëve dhe avokatëve të zotit McGonigal. Në këmbim të pranimit të fajësisë për një prej pikave të aktpadisë, atë për fshehjen e provave materiale, prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera.















