Akuzohet për lidhje me një grup kriminal në Durrës, arrestohet ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja! Doli në Sky ECC, 3 akuza, mes tyre tregtimi i sekretit shtetëror
Ish-deputeti i PS, bëhet me dije se është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Burime për gazetaren e Report Tv, Keti Banushi thonë se dyshohet se Çyrbja është arrestuar pasi dyshohet për lidhje me një grup kriminal në Durrës.
Çyrbja dyshohet se ka dalë në komunikime në platformën e koduar SKY ECC pikërisht me këtë grup. Burimet thonë se në pranga ka rënë dhe një person i dytë, Ahmet Masha, një emër i njohur për drejtësinë dhe Policinë.
Ish-deputeti i PS ra në pranga në Durrës, teksa ishte duke udhëtuar me makinë me shoferin e tij. SPAK konfirmoi sot (20 tetor) 3 akuzat ndaj Çyrbjas, por pa dhënë detaje të hollësishme, të cilat tha se do i ndajë ditën e nesërme.
Akuzat që rëndojnë ndaj Çyrbjas janë “Korrupsion aktiv zgjedhor”, “përkrahje e autorit të krimit” dhe “tregtimi i sekretit shtetëror”. Ndërkohë, GJKKO ka caktuar ndaj ish-deputetit edhe masën e sigurisë arrest me burg, e cila u ekzekutua sot me urdhër të SPAK.
Nisur nga interesi i madh i mediave, ju komunikojmë se Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot masën e sigurimit “arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Posacme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuat, ndaj shtetasit Jurgis Çyrbja, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal. Nesër do të ketë një njoftim për shtyp me më shumë detaje”, njoftoi SPAK-u shkurtimisht për mediat.
Mësohet se arrestimi i ish-deputetit ka lidhje këtë çështje të re dhe jo me atë të denoncimit nga deputeti demokrat Edi Paloka, e për të cilën është i pandehur më 11 tetor.
Ish-ligjvënësi akuzohet edhe për kohën kur ka drejtuar Hipotekën e Durrësit, deputet i të cilës u zgjodh më pas.
Çyrbja dorëzoi mandatin më 9 Tetor dhe dy ditë më pas SPAK njoftoi marrjen të pandehur.Bëhet fjalë për një vepër penale të kryer në 2016. Gjatë kohës që Çyrbja drejtonte Hipotekën e Durrësit, ai është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë, pasi dyshohej se kishte favorizuar Emiljano Shullazin për të përfituar prona në Durrës.
Ndërkohë Lulzim Basha, e kishte etiketuar deputetin disa herë si bashkëpunëtor të krimit. Kurse tani duket se Prokuroria i ka ngriur edhe një tjetër çështje, për të cilën edhe është prangosur.