ÇELËSI DHE KULLAT E BARIT NGA LUÇIANO BOÇI

Krimbi gjigand i ndryshkur në formë çelësi që të zë sytë dhe frymën sapo hyn në Shkodër, përtej të qenit një vepër artistike, u kthye pa një pa dy në objekt romuzesh e barcaletash tipike shkodrane.
E s’kishte si të ndodhte ndryshe, megjithë sforcot shpjeguese pop-rilindëse mbi mesazhet që gjoja transmeton krimbi-çelës.
Lidhja e tij me qytetin i ngjan lidhjes së një objekti të paidentifikuar (UFO) i rënë rastësisht nga qielli, pa shpjegim brenda.
Autorët e shpërnguljes së tij për në hyrje të qytetit, për hir së vërtetës, kanë ndryrë brenda tyre një ngazëllim cinik ndaj Shkodrës, për simbolikën që ai përcjell.


Njëherazi, ata na paskëshin pas dhe një projekt kombinator të fshehur pas krimbit të madh.
Sipas këtij projekti “modernizues”, çelësit i duhet dhe diçka tjetër. Funksionale. Dhe ku ka më funksionale se kullat e barit që ai “të mund t’i hapë”.
Mosvonesa në paraqitjen e këtij projekti erdhi.
Sipas hartuesve të këtij projekti “me mostra”, krimbit gjigand i shkon për shtat një kullë gjigande si një thumb (gjigand) i ngulun ndër zemrën e qytetit (tru të njerzis).


Zbulesa e Kryeministrit-thumb nuk vonoi të shpallej dhe e cila shkaktoi një valë reagimesh kundërshtuese nga qytetarët.
Moskuptimësia e çelësit tani vijoi me moskuptimësinë tjetër:
Ç’i duhet Shkodrës një kullë kaq e lartë si përbindësh i ngjyrosur bukur mes një valëzimi ndërtesash tipike?!
Janë shkodranët kundër modernizmit?!
Ta thuash këtë për një qytet që dhe në periudhat më të errëta ka shpërndarë rreze modernizmi, ngjan si blasfemi.
Apo janë kundër zhvillimit e së bukurës?!
Akoma më e papranueshme kjo për njerëzit më avangardë të zhvillimit e më artistikë të vendit.
Mos vallë janë kundër turizmit?!
Absurde, sepse një vend me det, liqen, male piktoreske, lum e fushë njëherazi Zoti rrallë ban e njerëzit e Shkodrës e kanë në gjak turizmin e mikpritjen.
E vërteta është se reagimet e sinqerta dhe të vërteta të tyre erdhën natyrshëm, në mbrojtje të identitetit të spikatur dhe traditës e historisë së qytetit.
Kulla e pamatë godet një lloj konstitucioni shpirtëror dhe qëndron e paharmonizuar me gjithë hapësirën urbanistike, por dhe mentale e emocionale të qytetit.
Jo më kot thonë që qytetet i ngjajnë qënieve të gjalla.
Po pse Rama dhe Beci e morën me kaq turr e ngut kullën, duke shkelur faqe Shkodrës planin vendor, një sërë pengesash ligjoro-teknike dhe duke shmangur konsultimin publik?
Madje poshtërsisht po përdorin një truk të njohur politik, për të zbehur reagimet ose në fund fare për të nxitur konflikt: duke implikuar “në nder” emra biznesi të pastra.
Shpjegimet mund të jenë gjithfarëllojesh, por ajo që bie në sy është kërkesa që ka Rama për terrene fertile për pastrimin e parave.
Kulla dëmin e saj më të madh nuk e ka vetëm tek dukja jo harmonike si thumb i ngulun i lartë me ngjyra marramendëse.
E ka tek hapja e siparit të shndërrimit të Shkodrës në viktimë të betonit-lavatriçe.
Ajo vetë mund të investohet nga njerëz me biznes të ndershëm siç është e vërteta e rreziku i saj nuk janë këto investitorë.
Rreziku akoma më i madh është ai që vjen pas saj.
Presioni që ushtron sot paraja e pisët dhe politika e pisët për t’u pastruar, është e madhe.
Dhe pas Tiranës të bërë rrafsh me kulla e me apartamente bosh e Jugut me investitorë strategjikë, Shkodra si keyeqendër e veriut është ideale.
Aq më tepër Veriun, Rama ka kohë që ia ka dorëzuar trafiqeve e parcelave të barit.
Paraja e këtillë e fituar nga mbështetja politike-zgjedhore e Ramës e anasjelltas, nga grupe me fondament kriminal, kërkon të pastrohet e të marrë formën e kullave të barit, që do të mbijnë si këpurdha pas shiut.
Pragzgjedhjet e 2025 detyrojnë kënaqjen me leje ndërtimi të këtyre grupeve, nga ku ata shumë lehtë të mund të legalizojnë pasurinë e organizateve të tyre.
Marrëveshja me Ramën ka kohë që është lidhur e paratë e barit do vërshojnë për të kaluar në linjat e bankave nga ku dalin qelibar.
Restoja për Ramën mbeten zgjedhjet.
Ndërsa ajo që fitojnë shkodranët është betoni, është kaosi urban, rritja galopante e çmimeve të çdo gjëje dhe humbja e Shkodrës për të cilën vijnë sot vizitorët dhe e pëlqejnë banorët.
Çelësi i vërtetë i hapjes së kësaj masakre urbane nuk është krimbi-çelës gjigand, që shpërndan vetëm ndryshk. Çelësi është betonizimi i sheqerosur me simbole e ngjyra spanjolle.
Dhe një gjë e fundit:
Ky Beci gjatë fushatës a i tha gjë shkodranëve që do i mbyste me kulla?!!!

ME TE SHIKUARAT

Facebook
Facebook
Twitter
LinkedIn