Drejtori i IT që kopjoi të dhënat e TIMS, dyshohet se u ndihmua nga persona të tjerë, po verifikohen! Është filmuar nga kamerat

Drejtori i IT në policinë e shtetit Ervin Muça dyshohet se është ndihmuar nga persona të tjerë për të kopjuar të dhënat nga sistemi TIMS. Sipas të dhënave të hetimit dyshohet se persona të paautorizuar janë futur në godinë me ndihmën e Muçës, duke përdorur PIN-in e një punonjëse që ishte me leje. Muça mohon të ketë qenë në godinë më 2 gusht 2023 kur ka ndodhur ndërhyrja, por është fiksuar nga kamerat.

Pas masës “ arrest në shtëpi” me vendim të gjykatës së Tiranës dhe pezullimit nga detyra të drejtorit të Teknologjisë së Informacionit (IT) në Policinë e Shtetit, Ervin Muço, Prokuroria e kryeqytetit është duke verifikuar persona të tjerë, të cilët dyshohet se kanë hyrë të paautorizuar në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit në rrugën “Mine Peza” (pranë komisariatit numër 3), ku ndodhet edhe serveri qendror i bazës së të dhënave të sistemit TIMS, i cili regjistron hyrje-daljet e qytetarëve nga kufijtë e vendit.

Këta persona – thonë burime nga Prokuroria e Tiranës – janë civilë, pra jo punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët sipas të njëjtave burime, kanë hyrë në godinë përmes ndihmës së drejtorit të IT-së dhe kanë ndërhyrë në të dhënat e sistemit TIMS, duke i kopjuar.

Zyrtarisht sipas organit të akuzës, kjo ndërhyrje në TIMS ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes të 2 gushtit 2023. Personat e paautorizuar – sipas Prokurorisë- për të mos lënë gjurmë, janë futur në godinë me PIN-in (kodin) personal të një punonjëseje tjetër e cila mësohet se ndodhej me leje të zakonshme, “duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin”. Jo zyrtarisht burimet thonë se të dhënat e kopjuara janë shkarkuar në kompjuterin e Ervin Muçës. Prokuroria e Tiranës mësohet se ka kërkuar ndihmën e ekspertëve të SPAK për të analizuar kompjuterin e Ervin Muçës dhe mësohet nga burime se në kompjuterin e drejtorit të IT janë shkarkuar të dhënat e TIMS, për një qëllim që edhe sot e kësaj dite mbetet i panjohur.

ME TE SHIKUARAT

Facebook
Facebook
Twitter
LinkedIn