Sot, 26 mars, në vendin fqinj nafta tregtohet me 92.2 denarë për litër siç shihet nga fotot e siguruar nga vendi fqinj. Një pikë tjetër karburanti ajo tregtohet akoma dhe më lirë, me 88.0 denarë për litër, ndërsa arrin në gati 143 lekë për litër e konvertuar nga denari.
Ndërkohë në Shqipëri, tregtimi i naftës ka arritur në 214 lekë për litër, e në disa raste ka kapur shifrën e 220 lekë për litër, në një kohë kur tregjet ndërkombëtare në bursat e naftës kanë pësuar ulje-ngritje si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme, të pasur me rezerva hidrokarburesh.
Shqipëria ende nuk ka rezervë shtetërore të sigurisë së naftës. Agjencia Shtetërore e Rezervave të Sigurisë së Naftës ende nuk është ngritur pasi projektligji që ligjëron ngritjen e këtij institucioni, pret prej 7 vitesh të marrë dritën jeshile.
Siç treguan edhe pamje e punlikuara në media, ditët e fundit, në pikën kufitare të Qafë Thanës është vërejtur një rritje e ndjeshme e fluksit të automjeteve që udhëtojnë drejt Strugës dhe Ohrit.
Çmimi i lartë i naftës dhe benzinës në Shqipëri po shtyn gjithnjë e më shumë qytetarë të zonave të juglindjes që t’i drejtohen pikave të furnizimit në Maqedoninë e Veriut, me qëllim uljen e kostove financiare për blerjen e karburanteve.
Në pikat e karburantit në Maqedoninë e Veriut, sipas një vëzhgimi të Tv Klan, nafta tregtohet deri në 1.4 euro për litër, çka e bën dukshëm më të leverdishme, rreth 60 lekë më pak për litër në krahasim me atë që tregtohet në Shqipëri.
“Po ta llogarisësh, kursen më shumë në krahasim me Shqipërinë”, tha një qytetar.
“Njëherë në muaj vij. Më ulët është këtej, ia vlen”, u shpreh një tjetër.
Ndërkohë, interesi i shtuar i qytetarëve shqiptarë për t’u furnizuar përtej kufirit konfirmohet edhe nga banorët e Maqedonisë së Veriut.
“Vijnë furnizohen në Strugë me naftë”, shprehet një qytetar nga Maqedonia e Veriut.
“Çdo ditë shohim makina me targa të Shqipërisë që vijnë te ne dhe furnizohen”, shton një tjetër.
Në kushtet e diferencave të ndjeshme të çmimeve, ky trend pritet të vijojë, përfshirë jo vetëm blerjen e karburanteve, por edhe produkteve ushqimore në shtetin fqinj.














