Detaje të tjera janë zbuluar nga ngjarja e ndodhur në Kavajë, ku babai dyshohet se ka abuzuar seksualisht me të bijën.
48 vjeçari Bledar Rako ka mohuar akuzën ndërsa e bija, e cila ka bërë denoncimin pas rrëfimit te psikologia e shkollës, ka treguar se është kërcënuar që të mos tregonte.
“Ajo ka deklaruar se ka qenë e kërcënuar nga babai se po të tregonte do ta vriste. Në këto kushte, është treguar e rezervuar por falë punës së mirë të psikologes së shkollës është zbuluar kjo histori.
Do të jetë mjekësia ligjore që do të kryejë analizat e nevojshme për të dalë në përfundimin nëse deklaratat e vajzës qëndrojnë apo të të atit që ka mohuar se ka kryer marrëdhënie me të bijën.”,
Ndaj 48 vjeçarit rëndon vepra penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.
48-vjeçari Bledar Rako është vendosur në pranga pasi dyshohet se kreu marrëdhënie seksuale me vajzën e tij të mitur, në mënyrë të përsëritur.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, pas kallëzimit nga një shtetase 15 vjeçe, se babai i saj kishte kryer marrëdhënie seksuale me të, gjatë 4 viteve të fundit, menjëherë kanë organizuar punën për verifikimin e këtij kallëzimi dhe arrestimin e autorit.
Si rezultat i veprimeve të para hetimore, u vu në pranga ky shtetas , banues në Golem, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.
Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.















