Papa Françesku ndodhet në një situatë shëndetësore të vështirë. Ai po trajtohet për një “situatë komplekse” dhe do të qëndrojë në spital për aq kohë sa të jetë e nevojshme, ka deklaruar Vatikani.
Papa, 88 vjeç, u shtrua të premten në spitalin e Gemelli në Romë për t’u trajtuar për bronkit. Të hënën, Vatikani bëri të ditur se Papa po trajtohej për një infeksion polimikrobial në traktin e frymëmarrjes.
Gjatë qëndrimit të tij në spital, Papa Françesku është prekur nga mesazhet e shumta të dashurisë që ka marrë gjatë orëve të fundit, ka deklaruar zëdhënësi i tij.
Matteo Bruni u ka thënë gazetarëve të hënën se Papa është në një gjendje shpirtërore të mirë, ndërsa gjendja e tij fizike pritet të vlerësohet gjatë ditëve në vijim.