“Gjeografia 8” i jep Krimenë Rusisë, ndryshe nga qëndrimi i Shqipërisë.. po autorët si mund tua shpjegojnë këtë nxënësve?

Shqipëria, ashtu si shumë vende të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Bashkimi Evropian (BE) dhe Turqia, nuk e njeh Krimenë si territor rus.

BE-ja, me sanksione të vendosura që nga viti 2014, vazhdon të dënojë aneksimin e paligjshëm të Krimesë dhe Sevastopol-it nga Federata Ruse.

Pavarësisht qëndrimit të diplomacisë shqiptare, në librin shkollor “Gjeografia 8” – të botuar nga Shtëpia Botuese “Pegi” – Krimea paraqitet si pjesë e shtetit rus.

Pra, nxënësit e shkollave 9-vjeçare të Shqipërisë, në këtë libër, dallojnë Krimenë të bashkuar me Rusinë, në hartën politike të Rusisë (faqe 89).

Një ndër autoret e këtij libri, Majlinda Ziu, njëherësh dhe drejtoreshë e shkollës “Sami Frashëri”, për Albanian Post thotë se “Gjeografia ka lidhje me administrim territori, nuk ka lidhje me qëndrime politike, prandaj duhet të jemi jashtë kësaj çështjeje”.

Por, politologu Afrim Krasniqi shpjegon se kjo hartë politike nuk qëndron, pasi “kemi të bëjmë me devijim të dukshëm nga qëndrimi i Shqipërisë”.

Më tej, ai sqaron se Shqipëria, si: vend sovran, anëtare e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), por edhe pjesë e Kombeve të Bashkuara (OKB) “ka një politikë zyrtare të jashtme” dhe “mban qëndrim të qartë lidhur me rastin konkret”.

Ndërsa, autori tjetër i librit, ekspert në fushën e gjeo-politikës, Eqerem Yzeiri, thotë se “politikisht harta qëndron, sepse administrohet nga Rusia”, duke këmbëngulur më tej se “ajo hapësirë gjeografike është nën drejtimin e Rusisë”.

“Sot, Ukraina nuk ka asnjë juridiksion në Krime. Rusia ka bërë referendum”. “Sesi e kanë bërë këtë referendum, nëse është bërë i rregullt apo jo”, sipas Yzeirit, “janë analiza të thella”.

Por, doktoresha e Shkencave Politike në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Orinda Malltezi, i ka kundërshtuar autorët.

Për Albanian Post, ajo thotë se “gabimi i autorëve qëndron te fakti që shkruan ‘hartë politike’ dhe e lë Krimenë jashtë Ukrainës që është ende nën administrimin politik të Ukrainës”.

Që Shqipëria ka një pozicion të qartë dhe të palëkundur në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, e ka shprehur edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, në gusht të 2021-shit.

Nga Platforma e Krimesë, një iniciativë e re diplomatike e Ukrainës, ajo ravijëzoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Deklaratës së Përbashkët të Pjesëmarrësve në Platformën “Krimea është Ukraina”.

Ministrja deklaroi se, që nga aneksimi “ilegal” i Krimesë, “ky pozicion është i njëjtë me BE-në apo me SHBA-të, në përputhje me rregullat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare”.

Më 18 mars 2014, kreu i Kremlinit vulosi në mënyrë të njëanshme “bashkimin” e Krimesë me Rusinë.

Asambleja e OKB-së votoi më vonë për të shpallur aneksimin rus të paligjshëm.

Edhe pse Ziu zotohet që “e njoh mirë situatën e Ukrainës” dhe shkolla që ajo drejton, “është binjakëzuar me një shkollë të rëndësishme në Ukrainë”, ajo sërish këmbëngul që “të mos e hapim fare këtë debat”.

“Nuk ia vlen t’i hyjmë kësaj teme, është mirë t’i qëndrojmë jashtë politikës në të mirën e të gjithëve ne”, tha ajo, pasi “ky është problem politik, qëndrimet e shteteve janë qëndrime dhe ne jemi pro Ukrainës”.

Ndërsa autorja Ziu përdor termin “rajon”, autori tjetër Yzeiri i sheh hartat si “një fotografim i territorit”.

Në faqen gjashtë të “Gjeografia 8”, Ziu termin “rajon” e shpjegon tekstualisht: “Rajoni është njësia e sipërfaqes së tokës, që karakterizohet nga tipare fizike ose veçori të aktivitetit njerëzor qartësisht të dallueshëm nga njëri-tjetri”.

Më tej, ravijëzon se “një rajon del përtej kufijve të një territori”, duke shpjeguar, nëpërmjet ngjyrosjes së hartës se “ngjyra gri në hartë është vendosur për të gjithë territorin jashtë, edhe për zonën e Azisë”.

“Unë e kam në aspektin vetëm gjeografik, jo interpretim politik”, ka ritheksuar ajo. “Rajoni i Rusisë është rajon gjeografik, jo territor shtetëror”.

Më tej, shpjegon se ngjyra gri në hartë është vendosur “për të gjithë territorin jashtë, edhe për zonën e Azisë”. Pra, sipas saj, “është gri ajo pjesë që nuk është pjesë e Ukrainës”.

Por, në hartën e faqes 24 të librit, paraqitet Krimea veçmas këtij rajoni “gri”.

ME TE SHIKUARAT

Facebook
Facebook
Twitter
LinkedIn