Gjykata e Apelit ka dënuar me 8 vite burg noteren Rezarta Koçi, nga 10 vite që ishte dënuar më herët nga Gjykata e Shkallës së Parë. Të paktën katër shtetas e denoncuan atë se u kishte vjedhura shuma të ndryshme parash.
Pas kallëzimeve nga qytetarët nga hetimet ka rezultuar se noteria 40 vjeçare, gjatë kohës që përgatiste dokumentacionin, nuk hapte llogari të ngrirë bankare për transferimin e parave nga pala blerëse tek ajo shitëse, por në kundërshtim me ligjin përdorte llogarinë e saj personale.
Mashtrimet e Koçit u zbuluan nga qytetarët që ishin pala shitëse, pasi nuk merrnin asnjë shumë lekësh edhe pse certifikata e shtëpisë apo biznesit që shisnin kalonte në emër të palës blerëse.
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë: Mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal. Nga materialet e referuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në përmbajtje të tyre rezulton se ndaj noteres me iniciale Rezarta Koçi në periudha të ndryshme kohore, janë paraqitur kallëzime nga shtetasit me inicialet E. Q, P. Z, E. N, F. D, duke pretenduar se duke shpërdoruar detyrën u ka vjedhur një shumë parash.















