Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, ka thënë të mërkurën se gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, janë pajtuar se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit është në një periudhë tranzicioni.
Rregullorja e BQK-së, e cila kërkon që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 1 shkurt, me gjithë trysnin e madhe ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj.
Ai tha se guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, ka “përmendur se faza e tranzicionit mund të përfundojë në fund të shkurtit, por prapë nëse ka gatishmëri nga pala tjerë, sepse çdo afat që e cekim tani do të ishte i pasaktë”.
“Kur u takova me kryeministrin, kemi ardhur deri te një përfundim, që kjo është një periudhë tranzicioni kështu që shfrytëzuesit ta kenë një mundësi që të përgatiten për përdorimin e kësaj rregullore. Nga ana juridike dhe teknike kjo është mënyra e duhur që të vazhdojmë”, tha Rashiç.
Vetë Kurti tha dje se e kupton që “një periudhë tranzicioni është e nevojshme”, duke shtuar se një periudhë e tillë tranzicioni veçse ka nisur.
“Një periudhë tranzicioni kurrë nuk duhet të keqinterpretohet si sulm apo ndarje e thelluar. Dhe pasiguria e shkurtër që haset gjatë kësaj periudhe nuk duhet të shfrytëzohet për përfitimin politik”, tha Kurti, sipas një njoftimi për media të lëshuar nga zyra e tij më 6 shkurt.
Serbët në Kosovë e kanë kundërshtuar rregulloren e BQK-së, pasi shteti serb u paguan atyre – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e ka kritikuar ashpër vendimin e BQK-së, duke e konsideruar vendimin e autoriteteve si tentim për dëbim të serbëve nga Kosova.
Rashiç tha se kreu i BQK-së e ka njoftuar gjatë një takimi të mërkurën se banka kosovare do ta kontaktojë “qysh sot” Bankën Popullore të Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje për transaksionet e parave në Kosovë dhe këmbimin e tyre në euro. Ai e përmendi këtë si opsion të parë të zgjidhjes së kësaj çështje.
Ndërsa, si mundësi e dytë, tha ai, është që bankat që kanë degë në Kosovë dhe Serbi të mundësojnë shpërndarjen e transaksioneve në euro.
Banka Popullore e Serbisë ka thënë më parë se ndalimi i dinarit është “politik” dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë.