I ftohti i acartë në Bulqizë, rritet çmimi i druve të zjarrit, qytetarët: Kostoja e ngrohjes, e papërballueshme

I ftohti i acartë i dimrit ka rritur çmimin e druve të zjarrit në Bulqizë. Banorët thonë se temperaturat e ulëta deri në -16 gradë celsius i kanë vënë në vështirësi duke qenë se për ngrohje, ata përdorin më së shumti, sobat me dru. Për ata që nuk i kanë marrë drutë muaj përpara dimrit, kostoja e tyre aktualisht shkon nga 60-80 mijë lekë të vjetra metër kubi.

Kostoja përfshin blerjen, prerjen dhe transportin e druve por shifra, është e papërballueshme për xhepin e tyre. Mjaft prej banorëve i shmangen ngrohjes me energji elektrike, pasi thonë se nuk munden të përballojnë as faturat e rritura të energjisë me të ardhurat që kanë.

Këtë vit qytetarët drutë e zjarrit i kanë siguruar më së shumti në tregun privat, që e ka rritur çmimin e druve më shumë se vitet e tjera. Sipas tyre privatët abuzojnë për shkak të temperaturave të ulëta dhe rrisin çmimin ndaj banorët kërkojnë nga pushteti vendor që të marrë masa që shërbimi i furnizimit me dru zjarri të bëhet në vijimësi përmes firmave kontratuale të Bashkisë Bulqizë.

ME TE SHIKUARAT

Facebook
Facebook
Twitter
LinkedIn