Në 13 vjet popullsia shqiptare pothuajse e përgjysmuar…
Në vjeshtën e vitit të shkuar (2023) INSTAT organizoi Censin e popullsisë shqiptare. Për plotësimin e të dhënave të popullsisë u trokit në dyert e shqiptarëve për të plotësuar një formular me 100 pyeje mbi të dhënat e tyre , të familjes, të besimit fetar, pasurisë dhe pronës. Procesi zgjati përafërsisht dy muaj nga 18 shtatori deri më 15 nëntor.
Sipas burimeve jo zyrtare të INSTAT për www.paprotokoll.com mësohet se problemi më i madh me publikimin e rezultateve të censit lidhet me faktin se rezulton një ikje masive e shqiptarëve nga vendi ndërsa popullsia është rrudhur ndjeshëm e ka rënë në rreth 1.6 milion banorë.
Bie ndjeshëm lindshmëria…
Ikja masive e shqiptarëve është tregues i qartë i mungesës së shpresës, i mungesës së mundësive për të punuar e jetuar në vendin e lindjes. Në këtë rezultat të censit mendohet të ketë ndikuar rënia e ndjeshme e lindshmërisë. Sipas INSTAT, numri i lindjeve për tremujorin e katërt 2023 është 5.857, duke shënuar një rënie me 7,6 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2022.
Me dhjetra e qindra dyer shtëpie janë mbyllur tashmë në zonat e thella të Shqipërisë ndërsa në qytetet e vogla popullsia po ikën masivisht. Kjo situatë ilustrohet edhe me faktin se në shkollat e vendit mungojnë rreth 2000 mësues ndërsa në dhjetra qendra shëndetësore nuk kanë mjekë.
Situata duket alarmante në kushtet kur të rinjtë dhe të rejat duan të ikin nga shqipëria si alternativa më e mirë për jetesën e tyre. Shqiptarët syte i kanë të drejtuar drejt perëndimit , sidomos në ato vende (si Gjermania) ku janë krijuar së fundi lehtësira për të legalizuar qëndrimin në këto vende.

12 mijë shqiptarë kanë hyrë ilegalisht në Angli gjatë vitit 2023
Referuar një deklarate në fund të muajit tetor të vitit të shkuar të komandantit të anijeve të vogla Dan O’Mahoney gjatë një seancë dëgjimore të komisionit të përzgjedhur për punët e brendshme në Britani përshkroi një rritje “eksponenciale” të mbërritjeve të anijeve nga Shqipëria, me më shumë se 12,000 njerëz në 2023 , nga të cilët 10.000 ishin meshkuj

Të dhënat krahasimore të censit në Shqipëri
Sipas të dhënave të censit të 13 vitve më parë, (censi 2011) më 1 tetor 2011 popullsia banuese e Shqipërisë ishte 2 821 977 banorë ndërsa në censusin e vitit 2001, popullsia e numëruar ishte 3 069 275 banorë.
Sipas përllogaritjeve të përafërta (deri në deklarimin zyrtar të INSTAT) popullsia në 13 vite pothuajse është përgjysmuar nga 2.8 milion banorë në përafërisht 1.6 milion banorë.
Pyetje???
Disa pyetje mbetet të bëhen për të gjithë autoritetet në Shqipëri: pse po ikin masivisht shqiparët? Po ikin si trend botëror apo për pamundësi ekonomike e mungesë shprese??















