Ish-deputeti Jurgis Çyrbja përfiton uljen e 1/3-ës së dënimit. Akuzohet për korrupsion në zgjedhje.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar të ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, Altin Hajri e Ahmet Masha, të akuzuar për korrupsion në zgjedhje, përkrahje të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror, prej nga ata përfitojnë uljen e 1/3-ës së dënimit përfundimtar

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të premten më 3 tetor pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja dhe dy të pandehurve të tjerë, të akuzuar për korrupsion në zgjedhje, përkrahje të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror. Nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar Çyrbja dhe dy të pandehurit Ahmet Masha e Altin Hajri përfitojnë uljen e një të tretës së masës së dënimit përfundimtar që do caktohet nga gjykata.

Kryesuesja e trupit gjykues, gjyqtarja Etleva Deda konstatoi në seancën e të premtes mospraninë e asnjë prej të pandehurve. Çyrbja dhe i pandehuri Ahmet Masha kishin paraqitur deklarim se nuk kishin dëshirë të merrnin pjesë në seancë, duke kërkuar që të përfaqësohen nga avokatët e zgjedhur prej tyre, të cilët ishin të pranishëm. Për të pandehurin Altin Hajri, i cili është shpallur në kërkim, Deda vërejti se ai ka paraqitur deklaratë noteriale për përfaqësimin e tij ligjor nga dy avokatë, njëri prej të cilëve ishte i pranishëm.

Avokatët e të pandehurve deklaruan se u qëndronin kërkesave për gjykim të shkurtuar. Prokurori i çështjes, Adnan Xholi tha se plotësoheshin kushtet për gjykim të shkurtuar, gjë që u vendos dhe nga gjykata. Pasi Xholi dhe të pandehurit kërkuan kohë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, gjykata shtuy seancën për më datë 20 tetor në orën 13:00.

Hetimet ndaj Çyrbjas zbuluan lidhje të thella dhe bashkëjetesë mes krimit të organizuar dhe politikës, si dhe ndikimin e tyre në procesin zgjedhor, duke deformuar votën e lirë dhe sistemin demokratik të vendit. Sipas hetimeve, në këmbim të votave dhe mbështetjes, Çyrbja ka përdorur funksionin e tij si deputet për të siguruar të dhëna sekrete nga policia, të cilat ua vinte në dispozicion anëtarëve të grupeve kriminale.

Çyrbja është marrë i pandehur për veprat penale: “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer më shumë se një herë; “Përkrahje e autorit të krimit”, gjithashtu e kryer më shumë se një herë; “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit” në bashkëpunim; si dhe “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Ahmet Masha akuzohet për “Tregim të sekretit shtetëror nga shtetasit” dhe “Përkrahje të autorit të krimit”, të kryera në bashkëpunim, ndërsa Altin Hajri akuzohet për “Korrupsion pasiv në zgjedhje” dhe “Tregim të sekretit shtetëror nga shtetasit”.

Hetimet kanë zbuluar se të pandehurit, në tetë episode të ndryshme gjatë periudhës maj 2020 – mars 2021, janë vënë në dijeni të të dhënave nga sistemi “TIMS” mbi një person të shpallur në kërkim, si dhe informacione sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Këto të dhëna, që përfshinin planet e Policisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, përfshirë edhe Qarkun e Durrësit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim për krime të organizuara, janë transmetuar nga të pandehurit te personat në kërkim, të cilët për shkak të kësaj ndihme kanë shmangur arrestimin.

Në kohën kur Çyrbja ka kryer këto vepra penale, ai ishte deputet i Partisë Socialiste. Ai u rizgjodh deputet edhe në legjislaturën 2021–2025, funksion që e mbajti deri më 9 tetor 2024, kur dorëzoi mandatin pak ditë para arrestimit.

ME TE SHIKUARAT

Facebook
Facebook
Twitter
LinkedIn