Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë së fundmi po kërkon një kompani që do të hartojë “Studim Projektim në rrjetin hidrik të Qytetit të Tiranës në Njësitë 1,2,3,4,5 dhe Drejtorit Rajonale” dhe që do të ketë në thelb kryeqytetin e 25 viteve të ardhshme.
Referuar dokumenteve që shoqërojnë procedurën që ka një fond limit 310 milionë lekë, apo rreth 3 milionë euro, nënvizohet se bazë për projektimin do të jetë studimi afatmesëm i Zhvillimit Teknik dhe Strategjik i Materplanit të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë UKT sh.a.
Pjesë e strategjisë 25-vjeçare kompania planifikon të zgjerojë kapacitetin e saj të prodhimit në mënyrë që më në fund të heqë dorë nga ato të puseve të saj që konsiderohen të rrezikshme.
“Investimet e planifikuara mezi sigurojnë ujë të mjaftueshëm për operimin 24 orësh me puset në fjalë të mbajtur në veprim. Rezervat e kapaciteteve duhet të vendosen në një mënyrë që edhe në një periudhë verore me konsum të lartë duhet të mbetet një rezervë prej 15-20%” thuhet në dokument.















