Kronikë e pengmarrjes së fundit të Ismail Kadaresë! NGA Bledian Koka

Me kryqin mbi kokën e Ismailit, velloja e bamirëses më të madhe që ka para bota, shqiptares Nënë Tereza bëri vështire t’ia shmangte aureolën fetare një njeriu të pafuqishëm për të reaguar sesi do ta kishte dashur ai ditën e fundit mbi tokë, si mysliman apo si i krishterë! Ndoshta dhe ateist… Ceremonia e homazheve në nderim të SHKRIMTARIT, u kthye siç e do zakoni me çdo ngjarje në këto 11 vitet e fundit!. Në parade propagandistike, e cila për pak u rrëzua kur botuesi Bujar Hudhri doli para mediave me një shkagoje (të cilën do ta paguajë shtrenjtë në vazhdim) e tha se ambulanca e “amanetit të fundit të Isës si leximtar të rekuiemit të tij” nuk kishte asnjë aparaturë për të tentuar formalisht kthimin e Kadaresë në këtë botë! Dhe ashtu ndodhi, akoma pa hedhur dheu i fundit mbi arkmortin e Ismailit, një shërbëtor i Rilindjes si Skëndër Brataj doli e i tha Bujarit të vorfën se “ai s’ka sy të shohë bollëkun e Rilindjes në arkivolo-ambulancat e saj”. Por a ndodh në një ditë pengmarrja e një njeriu? Sigurisht që jo! Pengmarrjet afatgjata janë produkt i asaj qe njihet si “Sindroma e Stokholmit”!

Pak ditë më parë u nda nga jeta një poet jo pak i dashtun për shqiptarët! Njëfarë Agim Doçi, rebel rrace! Sot e gjithë ditën ai që reagon edhe për milingonat qe ecin në rrugën e vet, nuk bëri qoftë edhe dy rreshta për largimin e Agim Doçit! Sepse Edi Rama nuk ta fal kurrë rebelimin ndaj tij. As kur ikën nga kjo botë! Ai njeh vetëm ata që në rastin më të mirë i binden e në rastin më të keq shërbejnë! Familja Kadare ishte në të drejtën e vet si e bën përzgjedhjen e ceremonisë, është në të drejtën e vet zonja Helenë t’ia fusë krahun cilitdo Erjon Velije që ajo dëshiron, apo t’ia delegojë me apo pa dashje fjalimin e fundit cilitdo kreu të regjimit që ajo beson! Ama ne që pamë ceremoninë nga televizori me keqardhjen e natyrshme për ikjen e SHKRIMTARIT dhe për një shqiptar më pak mes nesh, dy mendime i patëm!

Post-mortum ne nuk mund të mos e shohim praninë e SHKRIMTARIT si “bekues” i lindjes së një prej sekteve më të fëlliqura që ka parë kjo tokë pas komunistëve, si Lëvizja Mjaft! Letrat publike ku SHKRIMTARI i drejtohej me ndjesë publike një Vllahutinge në 2016-ën me fjalë që për një dekik e kanë bërë xheloze edhe vetën Helenën janë proverbiale. “E dashur Romana Vlahutin, do të isha gati t’ju kërkoja ndjesë në gjunjë, për t’ju siguruar se mirënjohja për ju është e do të jetë e pacenueshme”-shkruante SHKRIMTARI!

Apo ajo letër publike drejtuar Lulzim Bashës  në 21 Maj 2011, ku i kërkonte të tërhiqej nga gara elektorale për Bashkinë e Tiranës për llogari të mandatit të 4-ët të Edi Ramës. “Duke ju propozuar tërheqjen prej kandidimit, desha t’ju kujtoj se gjeste te tilla janë të njohura në historinë e pjesës më të emancipuar të njerëzimit”- shkruante SHKRIMTARI rivalit të Edi Ramës!

Shumë thonë që SHKRIMTARI nuk për detyrim të rregullojë as jetën e bashkëqytetarëve të tij e aq më pak botën. Ai fal ëndrra, herë të bukura e herë të kobshme! Por as nuk i heq të drejtën atij të reagojë për ato që dëshiron. Çuditërisht, të paktën që prej 2011-ës reagimet e tij janë të zeza mbi të bardhë dhe jo hije thashethemesh si puna e asaj “jashtëqitjes së kombit në zorrën e trashë”! Asnjë fjalë për shembjen e Teatrit, por në gjunjë përballë Vllahutinin, asnjë fjalë për zgjedhjet pa opozitën në vitin 2019 ama me penën brisk duke lypur fitore pa garë për Edi Ramën në 2011-ën.

Edi Rama e pranoi që ishte ai “regjisori” i ditës së fundit të SHKRIMTARIT mbi tokë. Ai vendosi ta varrosë Ismailin, bashkë me të tjerët në Tufinë! Sepse pasi mbaroi punë me të, për të KADARE nuk bën shumë ndryshim mes atyre që i kanë shkuar mbrapa Edi Ramës e ku për shkak të injorimit të tij, ndonjëherë ia kanë kërcitur vetes edhe me ndonjë “krismë të thatë”!

p.s…Lamtumirë SHKRIMTAR!

ME TE SHIKUARAT

Facebook
Facebook
Twitter
LinkedIn