Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të hënën se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë të mira megjithë mospajtimet për disa çështje
Komentet e tij pasuan deklaratat e zyrtarëve amerikanë të cilët thanë se mungesa e bashkërendimit të qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara lidhur me rregulloren që ndalon përdorimin e dinarit serb, tashmë ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.
“Si kryeministër i Republikës së Kosovës kam folur që raportet tona, bashkëpunimi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shumë i mirë, tash ne jemi partner, aleatë edhe miq, kjo nuk do të thotë që pajtohemi absolutisht çdoherë në çdo vend për gjithçka, mirëpo në këtë aspekt kemi një rregullore të re të Bankës Qendrore të Kosovës të cilën qeveria e Kosovës sipas Kushtetutës dhe ligjit ka për detyrë ta mbështesë, andaj edhe unë them që raportet tona janë shumë të mira dhe i qëndroj kësaj fjale. Pra nuk ka shpërputhje mes motit sot dhe raporteve me SHBA-të”, tha kryeministri Kurti.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, ka hyrë në fuqi me një shkurt pavarësisht thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i saj.
Diplomacia perëndimore kritikoi rreptë qeverinë e Kosovës për shkak të vendimit, i cili nxiti reagimin e Beogradit që akuzoi qeverinë e Kosovës se po kërcënon mbijetesën e serbëve në Kosovë.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha sot se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tjerë nuk po kërkojnë nga Kosova që të mbajë dinarin apo të mos respektohet Kushtetuta e vendit. Ajo tha se është duke u diskutuar një plan kalimtar për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës