Donald Trump, javën e ardhshme, do të bëhet ish-presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara, që do të përballet me gjyq penal. Rasti përfshin ryshfetin që i është paguar yllit të pornografisë, Stormy Daniels. Ai bart edhe pasoja të mëdha politike dhe ligjore, pasi që Trump do të garojë sërish për të parin e Shtëpisë së Bardhë në zgjedhjet që do të mbahen në nëntor.
Gjyqi pritet të nisë në Manhatan, më 15 prill. Është i pari nga katër gjyqet e mundshme penale, me të cilat përballet Trump, por mund të jetë i vetmi që do të zhvillohet përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit. Trump, 77 vjeç, u deklarua i pafajshëm për 34 akuza për falsifikimin e të dhënave biznesore në rastin që ngriti prokurori i Qarkut në Manhatan, Alvin Bragg.
Trump akuzohet se ka aranzhuar një pagesë prej 130.000 dollarësh nga avokati i tij, Michael Cohen, për Stormy Danielsin, në ditët e fundit të fushatës presidenciale të 2016-ës. Pagesa dyshohet se është bërë për ta detyruar Danielsin që të heshtë për një takim seksual, që ajo ka thënë se ka pasur me Trumpin në një hotel në vitin 2006. Trump dyshohet se ka falsifikuar edhe të dhëna për ta mbuluar atë. Duke mohuar çdo takim të tillë me yllin e pornografisë, emri i vërtetë i së cilës është Stephanie Clifford, Trump tha se pagesa është bërë për t’i ndaluar “akuzat e saj të rreme dhe zhvatëse”.