Mafia ka evoluar me kohën dhe ka lënë pas brutalitetin fizik (jo se nuk është brutale) dhe ka rritur ndjeshëm brutalitetin ekonomik dhe atë politik. Ka ndërruar petk e lëkurë. Sot Mafia “angazhohet në fushata elektorale ku mbështet përfaqësuesit e vet dhe forcat politike që i dominon ose drejton, bën pastrim parash, posedon industrinë e mbetjeve dhe merr pozicione menaxheriale në kompani dhe qeveri. Mafia e dikurshme gjakatare dhe e pamëshirshme është shndërruar në një organizatë biznesi-politike që nuk qëllon më, nuk përdor bomba apo vetëm pazare droge, por që dëshiron të ushtrojë megjithatë pushtetin në vend të shtetit”.
I gjithë ky parashtrim duket sikur është bërë enkas për Qeverinë Rama. Realisht i referohet Cosa Nostra-s. Ngjashmëria është kaq “pikë-uji” sa është e vështirë të dallosh ku fillon Mafia dhe ku mbaron qeveria Rama. Më saktë narko-shteti Rama.
Të gjitha aktivitetet e lartpërmendura janë ekskluzivitet i një qeverie pa personalitete brenda saj, por me një kapobandë Kryeministër, i cili sot dirigjon dhe rakordon me organizatën narko-politike, sipas vetë ish zëvendësit të tij në arrati, por dhe asaj që dihet anë e mbanë, veprimtarinë e narko-shtetit me ekzotik të Evropës.
Edhe ky vetë si organizata, ka ndërruar stil. Rama nuk është më ai “legeni” i dikurshëm i fillimviteve pas 2013, i lokalit tek “Coin” që e merrnin në telefonon “Ata” që i kishin dhënë karriken dhe i kërkonin të ndërmjetësonte uljen e gjobave që organizatat kriminale i vendosnin njëra-tjetrës, apo bizneseve. Ka evoluar si vetë organizata. Sot gjithçka e drejton nga Olimpi i zyrës të shndërruar në fletore vizatimi. Aty pret përfaqësitë e karteleve, bën tryezat zgjedhore e ndan territore. Jep liçenca dhe emëron investitorë strategjikë. Jep koncesione plehrash e sterilizimesh. Rregullon raportet e ul gjakrat e gjaqeve dhe laqeve. Hap portet për tonelatat e drogës ameriko-latine e ndërton kampe internimi refugjatësh. Shkel të dy sytë për pastrimin e parave të korrupsionit qeveritar e të narko-trafikut. Shkel ndonjë sy dhe për ato që duhen hequr qafe nën moton publike, gjoja “të hanë kokat e njëri tjetrit’.
Madje tani flet ngadalë si me bezdi në shenjë pushteti dhe në emër të atributit si kapo. E kur vjen tek sulmi ndaj atyre që i nxjerrin të vërtetën e i prekin interesin, shpërfytyron gjuhën e mimikën, nxjerr në pah urrejtjen për botën e psikikën e deformuar.
Herë pas here ligjëron dhe me pak mekje ose ofshe si një i vjetër që e imagjinon veten të ri dhe përpiqet të identifikohet me Ismail beun e Vlorës.
Dikur zari i tavolinave sot është shndërruar në gjylen e tavolinave, njeriun me peshë që peshon fate parash, aferash, biznesesh e njerëzish.
Kjo në sajë të shërbimeve që kartelet e drogës i japin gjatë fushatave të fituara zgjedhore.
E rrethoi veten me këshilltarë evropianë ish-kryeministra për të korruptuar opinionin e larë pamjen e vet. Korruptoi agjentë amerikanë e shqiptarë për hesapet e karrierës se vet dhe luftës ndaj opozitës.
Ndërsa për kapriçiot kokëçarëse e për shërbimet e votave kundrejt favoreve, ka emëruar de facto një përfaqësues për çdo sektor apo territor, të cilët i quan dhe koordinatorë politikë ose koordinatorë specialë.
Fiks sipas modelit të strukturë së mafias, për të cilën SPAK-u i tij ka dijeni por njëherazi është i lumtur që ka dijeni.
Po aty tek ajo fletorja e vizatimit pret miqtë e tij ndërkombëtarë, të cilëve u vetëofrohet me lëpirje e përqafime sektesh e insektesh e kërkon të bëjë “të madhin” e gjatë me duart e gjata të hajdutit tipik, të cilat dukshëm në shpropocion me trupin, mundohet t’i fshehë.
Me këmbët e shkurtëra si vetë gënjeshtra, në raport me staturën e bustin; dobësi që e mbulon me xhaketat e gjata dhe këmishat e lëshuara, ecën me një siklet të mirëdalluar në qilimet që i shtrojnë për hir të shtetit dhe jo për hir personal.
Bën gjithçka të bjerë në sy e t’i çjerrë sytë kombit të vet.
Hyn në pazare e bën pazare për fatin e vet politik me çfarëdolloj çmimi e kostoje. Shet ç’të ketë përpara e fal gjithçka për të çimentuar narko-diktaturën.
E ndërkombëtarët qeshin e gazmenden me të, me demokracinë teorike e qeshin me hidhërimin e njerëzve që largohen nga ky vend çdo ditë e më shumë.
Romuzaxhiu i dikurshëm me profesionin gallataxhi i tavolinave tiranase kontroverse të ‘90, sot e përdor aftësinë e tij oratorike për të mashtruar sheshit, për të bërë e blerë sheshit propagandë e media e për të dalë shesheve si krenaristi i narko-shtetit.
Ndërsa kompleksin e tij të inferioritetit e përshfaq në dëshirën perverse për të eleminuar me çdo kusht kundërshtarin e tij politik.
Narko-shteti ndërkohë ecën sahat. Ka futur në bigë e thes ndërkombëtarët e tradhëtarët, analistët e specialistët, mediat dhe institucionet, politikanët e përtej detit dhe arlekinët e këtushëm.
Kontrollon drejtësinë, tallet me bujqësinë, ka kriminalizuar ekonominë, ka vrarë shëndetësinë e ka rrënuar përdhunshëm arsimin.
Ky narko-shtet objekt turistik, ka dhe një gjë krejt origjinale.
Këtu njerëzit publikisht e mediatikisht shfaqen të lumtur dhe krenarë.
Në tavolina, shtëpi dhe kufi janë të mërzitur dhe të prekur në dinjitet.
Ndoshta po presin që Narkosi i rradhës t’i transmetojé artistikisht të vërtetën dhe të duhurën në sy, sepse opozita e të vërtetat e saj të faktuara ende nuk po ia mbushin syrin se kështu i flet në vesh propaganda, i ulëret frika e instaluar dhe i çorienton drejtësia e vonuar.
E atëhere do jetë vonë.
Prandaj kjo tablo e këtij Narko-shteti duhet grisur e djegur sa më parë.