Partia Demokratike e Rithemelimit ka mbyllur raportin e saj për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Ky raport është publikuar në faqen e Kuvendit, ndërsa mban firmën e kreut të grupit parlamentar, Gazment Bardhi.
Sipas këtij raporti, Gjykata Kushtetuese duhet të konstatojë papajtueshmërinë me mandatin e Xhaçkës.
Të enjten është përfshirë në axhendë edhe pika nëse çështja për mandatin e Olta Xhaçkës do të shkojë apo jo në Kushtetuese.
Në axhendën e të enjtes thuhet se Kuvendi do të miratoje ose jo raportin përfundimtar të Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet.
Por ndërsa PD-ja ka përgatitur raportin e saj publikuar në faqen zyrtare te Kuvendit, PS-ja nuk e ka bërë ende një gjë të tillë.
Socialistët nuk e kanë thënë ende fjalën e tyre, ndërsa çështja pritet të kalojë për votim në seancën plenare të së enjtes.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit në mbledhjen e tij të 8 prillit vendosi që ta dërgojë për votim në seancën e së enjtes (nesër) raportin për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Në takim, deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se është bërë mburojë e Xhaçkës dhe kërkoi që çështja të mos zvarritet, por të futet në rend të ditës në seancën e ardhshme.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, sqaroi se Këshilli nuk mund të mblidhej pa u botuar në Fletore Zyrtare vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Sa i përket periudhës tjetër, nga korriku dhe deri tani, pyetjet drejtojani vetes se ishim në anormalitet” tha Nikolla.
Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, mohoi që mazhoranca e ka mbajtur peng dhe akuzoi opozitën si shkaktare për vonesën
“Në 6 muaj nuk janë bërë mbledhje normale”, tha ajo ndërsa shtoi se do të hartohet raporti dhe do i dërgohet seancës plenare për votim”, tha Bushka.
Edhe kreu i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi, u shpreh i gatshëm për të dërguar raportin.
Nga ana tjetër, Bardhi theksoi se “se grupi ynë e ka ngritur këtë çështje në qershor 2022, ka qenë vullnet i mazhorancës të marrë në mbrojtje në anëtar të kabinetit, që vijmë sot në prill 2024, për një vendim që sipas Kushtetutës ishte i qartë që në nisje”.

















