Qytetarët e Himarës do t’u drejtohen nesër qendrave të votimit për të zgjedhur kreun e Bashkisë së tyre.
Në 36 Qendrat e Votimit të ngritura në këtë Bashki, votuesit do të zgjedhin mes Vangjel Tavos kandidat i Partisë Socialiste dhe Petro Gjikurisë kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, i përzgjedhur nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.
Procesi i votimit do të nisë në orën 7:00 të mëngjesit dhe do të përfundojë në orën 19:00.
Në KZAZ e Himarës ka mbërritur e gjithë baza materiale që do të shfrytëzohet për votimet e së dielës. Edhe në këtë proces, bazuar në përcaktimet ligjore të Kodit Zgjedhor, të gjithë zgjedhësit para se t’i drejtohen dhomës së fshehtë për të votuar, do të duhet të kalojnë përmes procesit të identifikimit biometrik.
Pajisjet PEI janë testuar pak ditë më parë në ambientet e KQZ dhe gjithçka është gati. Fushata zgjedhore ishte e shkurtër. Vetëm përgjatë një jave dy kandidatët kanë pasur zyrtarisht mundësi të zhvillojnë fushatë me banorët e Himarës. Fakt është se fushata ka qenë e qetë dhe nuk është shënuar asnjë incident mes kampeve elektorale të të dy palëve.
Me dy kryetarë në burg, Bashkia e Himarës u drejtua fillimisht nga nënkryetarja Blerina Bala, e cila më pas u dorëhoq dhe aktualisht bashkia drejtohet nga Arqile Bollano.