Shoku e miku im i mirë, i ngushtë, gazetari virtuoz e njeriu i rrallë Aristir Lumezi (Beni) mbylli sytë përgjithmonë!
Luftoi deri në fund me sëmundjen e egër, me atë forcën dhe paepësinë e tij karakteristike.
Nuk e di se sa fjalët sot, të cilat Beni i dashuronte e i kuronte me aq kujdes në punën e tij gazetareske, do të mund ta shprehin dhimbjen e dëshpërimin e të gjithëve ne, miqve e shokëve të fëmijërisë e rinisë, kolegëve e familjarëve të dashur, për ikjen e tij të parakohëshme.
Beni me atë portretin serioz, që fshihte brenda një humor të jashtëzakonshëm, impononte kudo miqësi, siguri dhe respekt.
Qendra e gjithçkaje që ndodhte në klasën apo auditorin tonë, besoj dhe në ambjentet e punës, ai ishte një autoritet, i cili me modestinë e qartësinë e tij shpërndante qetësi dhe buzëqeshje.
Me dituri e këmbëngulje u shndërrua në një ikonë të medias së shkruar dhe ishte një autoritet i padiskutueshëm.
Një gazetar dhe opinionist par exellence!
Profesionist dhe i pa kompromentuar, Arsitir Lumezi e ushtroi profesionin e tij në formën më të duhur e më të plotë të mundshme: si shërbim për informim dhe asnjëherë nuk deformoi apo shiti të vërtetën si mall tregu.
Nuk abuzoi me fjalën e nuk tregtoi opinione, sipas oreksve politike, apo editoriale.
Aristiri ishte simboli i gazetarit të ndershëm që e konsideroi dhe ushtroi gazetarinë si të mirë publike dhe jo si të mirë personale.
“Panorama” e “tij” dhe e kolegëve me të cilët punoi u bë media elitare dhe ndër më të kërkuarat.
Sikurse Beni ishte ai bashkëshorti shembullor i Norës së tij, me të cilën përballoi dallgë jete të pathëna, të bukura e të vështira. Dhe ai babai i mrekullueshëm i Arbërit dhe Tedit me të cilët harmonizohej jo thjesht si prind, por dhe si shok i pandashëm.
Kujdestari sentimental i pandreqshëm i vëllait, Nanit.
Është e paplotë të them që kjo humbje na shkakton vetëm atë boshllëkun që të përpin ndjesitë e të mpin gjithçka me zbrazëtinë e shurdhërinë e tij.
Është më shumë se kaq!
Është një thyerje që kërcet me zhurmë e që të thotë se një pjesë e jotja ka ngrirë tashmë, një dimension i yti është tretur diku në eter.
Është një pjesë e atyre viteve që i ke ndryrë brenda si kujtime të paharruara, të mbushura me jetë, me gëzime, me ëndrra, me hare, me sfida e beteja.
Të gjithë ne kemi shokët, shoqet e miqtë e ngushtë. Këto janë ato familjarët tanë “të artë” që i zgjedhim vetë.
Jo që na i sjell fati dhe për të cilët thënia “e kam shok të ngushtë” tingëllon vëlla.
Për mua Ben Lumezi ishte i tillë: shoku im i ngushtë!
Që kur ishim fëmijë e turreshim pa ndarë natën nga dita pas topit e lojrave.
E më pas, kur kemi ndarë bisedat e romuzet e rinisë për gocat, profesorët, prindërit tanë (dhe ata shokë të dikurshëm).
Kur Vilma (sekretarja e aprrisë e shkollës) sapo hynte, me sytë nga ne, na nxirrte me vrik nga klasa për flokët e gjata.
Apo kur prof. Shpëtimi na përjashtonte nga zbori se ti merrje me vete radion Iliria për të dëgjuar hit-parade-in.
Sa jemi mërzitur e qeshur njëkohësisht!
Kur kemi ndarë projekte, qëndrime, ëndrra për të ardhmen, familjen e fëmijët, një pjesë të cilave ti Ben i merr sot me vete.
Kemi ndarë dhe ato sekretet e vogla që jo kujtdo mund t’ia besosh e për të cilat ti ishe “kasaforta” e sigurisë.
Kemi bërë parashtrime politike e jo politike, ndonjëherë dhe debate me pasion për Berishën, Nanon e Ramën.
E kur t’i si gjithmonë “nuk ziheshe” por thjesht më aprovoje me disaprovimin tënd epik e imponues.
E pabesueshme që do na mungosh Ben!
Kishim akoma dasma, e ngjarje për të festuar!
Nxitimi për të kapur parajsën mbetet hyjnor, por dhimbja që shkakton tejkalon shpesh dhe vetë qiellin.
Udhëtim të paqtë miku im!
I lehtë dheu!
Nuk të harrojmë!