Dy ditë më parë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku nxori urdhrin për anulimin lejeve vjetore në të gjithë strukturën policore. Urdhri për anulimin r lejeve të planifikuara të efektivëve të policisë do të jetë për të gjithë periudhën e sezonit turistik 2024 nga data 20 qershor deri me 15 shtator.
Sigurisht situata është e rëndësishme për tu përballuar për shkak të fluksit të qytetarëve e turistëve në sezonin e verës por ajo që konfirmohet nga burime jozyrtare në policinë e shtetit është fakti se efektivët jo vetëm që nuk po marrin leje por po punojnë me orë të stërgjatura, 12 orë, të papaguara si orë shtesë në punë në një kohë kur temperaturat e larta janë njësoj edhe për policët si për të gjithë. Gadishmëria në punë e efektivëve të policisë nëse do ishte organizuar me një plan të mirëmenduar , në mënyrë që efektivët përvecse ti shërbejnë rendit, sigurisë dhe mbarëvajtjes së sezonit turistik më së paku do krijoheshin kushtet që të trajtohen si NJERËZ, nga struktura qendrore drejtuese e policisë së shtetit.
Sigurisht që detyra vjen e para në policinë e shtetit, por këta efektivë që kanë detyrën të parën a kanë familje para së cilës të paktën duhet të justifikojnë financiarisht mungesën e tyre në familje?
Sipas urdhrit më të fundit të firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku, anulimi i pushimeve bëhet me qëllim përballimin e shërbimeve të planifikuara nga strukturat e Policisë së Shtetit për sezonin veror 2024.
“Të anulohen pushimet vjetore të planifikuara të vitit 2024, në periudhën nga data 20 Qershor 2024 deri në datën 15 Shtator 2024, për të gjitha strukturat operacionale të Policisë së Shtetit, të cilat ngarkohen me detyra për sigurinë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik veror“, thuhet në urdhër.

Sipas dokumentit, drejtuesit e strukturave qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit, si dhe të strukturave të veçanta duhet të riplanifikojnë kryerjen e pushimeve vjetore të punonjësve të policisë që për periudhën e mbetur deri në fund të vitit kalendarik 2024.

Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohen drejtuesit e drejtorive vendore të policisë, drejtorive vendore të kufirit dhe migracionit, komisariateve të policisë dhe strukturave të veçanta.