Nënkryetarja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi, në një konferencë për mediat ka komentuar ngritjen nga socialistët të ashtuquajturin Komision për Antikorrupsionin që do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj.
Kryemadhi theksoi se ky Komision kërkon që të largojë vëmendjen. Sipas saj, qeverisja nuk ka transparencë. Ajo shprehet se Bashkia e Tiranës ka arritur kulmin e mosllogaridhënies, teksa refuzon të përgjigjet ndaj deputetëve.
“Kemi korrupsion sepse nuk ka transparencë. Nëse do të kishte transparencë, me siguri që nuk do të ndodhte vjedhje kaq e madhe. Kur ata që kanë pushtet duhet të japin llogari, korrupsioni nuk do jetë kaq i madh sa është sot. Bashkia e Tiranës nuk i kthen përgjigje deputetëve, mendoni sesi mund t’i kthejë përgjigje një qytetari.
Komisioni ka qenë institucion që kërkon të largojë vëmendjen. Projektligji që kam propozuar, rrit prezencën e deputetit, për ata deputetë që duan të punojnë. Kur deputeti ndjen përgjegjësi, firmos edhe kallëzimin penal, merr përgjegjësi para opinionit publik dhe përpara drejtësisë”, u shpreh Monika Kryemadhi.
Në vijim ajo theksoi se kërkesat e deputetëve për informacion, refuzohen, ndërsa shtoi se kjo ul besueshmërinë e publikut ndaj institucioneve.
Sipas saj refuzimi është një sjellje antiligjore që pengon rolin kontrollues të Kuvendit.
“Refuzohen kërkesat për informacion, referuar edhe kërkesave të mia në rastet e inceneratorëve. Sjellje antiligjore që pengojnë rolin kontrollues të Kuvendit. Ulet besueshmëria e publikut.
Mosdhënia e informacionit vijnë nga drejtuesit e institucioneve. Pr. ligji i propozuar sot thotë se nëse drejtuesit nuk japin informacion, parashikohen masa administrative. Pr. ligji besoj se do të mbështetet nga të gjithë deputetët, sepse fuqizon rolin e tyre. Hanë konstatuar bllokime të dhënies së informacioneve”, tha Monika Kryemadhi.















