PUTHJA E SPAK…NGA LUÇIANO BOÇI

(Zoti im, më ndihmo të mbijetoj nga kjo dashuri vdekjeprurëse)

Në pjesën lindore të mbetur të murit të Berlinit, piktori rus DMITRI VRUBEL, në 1990, realizoi muralin e famshëm

“My God, Help Me to Survive This Deadly Love” (“Zoti im, më ndihmo të mbijetoj nga kjo dashuri vdekjeprurëse”),

sipas fotos së famshme simbol të vëllazërisë komuniste, të bërë në 1979-n.

Murali ironizon puthjen e famshme Brezhniev-Honecker, si një akt besnikërie aq të ngjitshëm sa të verbon.

Ky mural është bërë ikonë globale e dashurisë politike të detyruar dhe e kapjes së popujve nga ideologjitë autoritare.

Dje, SPAK i dha pushtetit një partiak të Ramës të njëjtën puthje “vëllazërore”.

Dhe anasjelltas.

Pushteti po e puth SPAK-un me një Kod Penal “erotik” për ta mbrojtur nga “gojështhuririt” e gazetarisë dhe opozitës politike e qytetare, ndërsa SPAK si “partneri më i besuar i partnerëve ndërkombëtarë” po ia kthen puthjen dhuratë pushtetit, duke i “çertifikuar zgjedhjet”.

Atë që nuk bëri Amerika, dashuria e së cilës për pushtetin e majtistëve në kohën e Sorosianëve ishte e pakufishme, e bëri SPAK-u “amerikan”.

Po tek e fundit tashmë dihet: janë në të njëjtën varkë dhe vozisin sipas parimit

“Njëra dorë lan tjetrën e të dyja lajnë fytyrën”

Rezultati i gjithë kësaj dashurie?

E njëjta verbëri si në kohën e Murit, vetëm se Muri tanimë nuk është Muri i Berlinit. Muri është Kushtetuta jonë.

Sepse SPAK, megjithëse të gjithë në Shqipëri e dinë të vërtetën ulëritëse të zgjedhjeve, as nuk ka parë gjë, as nuk ka dëgjuar gjë, as ka faktuar gjë, sepse nuk ka punë fare të faktojë sipas tij dhe tek e fundit as nuk do.

Nuk do sepse do pushtetin e Ramës.

Ai nuk sheh as denoncimet e tmerrshme me fakte e prova të Berishës nga selia e PD dhe as faljen e gjobave nga Rama dy ditë para zgjedhjeve, as blerjen e votës me shpërblime pensionistësh, as krimin e organizuar që arrin të bëjë deputetë dhe “copa mishi” dhe as komisionerët banditë e patronazhistët sigurimsa, as policinë që korr vota e bën sehir e as administratën që paguhet vetëm për të blerë vullnet politik.

Megjithëse u bënë 193 kallëzime për krime zgjedhore: 53 nga partitë, 80 nga qytetarët, 35 nga policia.

Megjithëse u bënë 43 procedime nga të cilat 39 ende “në hetim” e 1 dërguar në gjykim, konkluzioni publik i SPAK ishte tronditës:

“Shit-blerje votash? Asnjë provë.”

“Asfalt elektoral? Aspak”

“Punësime fiktive elektorale? Zero”

E kjo nuk është statistikë hetimore.

Ngjan me shumë si përshkrim i puthjeve protokollare midis prokurorisë dhe pushtetit.

“Strategjia parandaluese” e SPAK u dëshmua të ishte strategjia e parandalimit dhe e bllokimit të opozitës dhe e Sali Berishës ekskluzivisht, për të fituar zgjedhjet.

Historia na mëson se muri ra, por fotografia mbeti si dëshmi e hipokrizisë.

Kështu do të mbetet dhe kjo ditë:

një kujtesë se drejtësia që puthet me pushtetin kthehet në mur për qytetarin.

Dhe ashtu siç persekucioni socialist i viteve ’79 nuk i shpëtoi dot liderët komunistë nga rënia, as puthja e SPAK-ut nuk do ta shpëtojë kapjen politike te drejtësisë nga gjyqi i historisë.

Thirrja ulëritëse në Murin e Berlinit – “O Zot, më ndihmo të mbijetoj nga kjo dashuri vdekjeprurëse” – është sot thirrja e çdo qytetari që sheh SPAK-un të puthë pushtetin dhe të harrojë drejtësinë.

p.s

E megjithatë “Eppur si muove”!

Ose saktë “Et tamen comitia rapta sunt” – Zgjedhjet u grabitën!

ME TE SHIKUARAT

Facebook
Facebook
Twitter
LinkedIn