Kryeministri Rama ka reaguar pas fshirjes së fotove në rrjete sociale me Alex Soros, duke i quajtur “përralla dhe histori propagandistike”, aludimet e prishjes së miqësisë së tyre.
Kreu i qeverisë tha se Alex Sorosin, i cili një ditë më parë ripostoi një foto me kryeministrin, e ka mik dhe se është krenar për miqësinë mes tyre.
Komenti: O Rama, po si ta kishte publikuar Alex Soros foton. Për inat të gojëve të liga, publikoje edhe ti foton me të, tregojë që je burrë.
Rama: Unë Alex Sorosin e kam patur mik, të atin e kam mik dhe i kam pasur dhe do ti kem miq dhe jam shumë krenar për atë miqësi. Përrallat dhe historitë propagandistike që kërkojnë të lidhin gjëra që nuk kanë lidhje fare, mua nuk më impresionojnë.
Dhe, siç kam miq Alex-in, të atin, kam miq edhe të tjerë që nuk janë miq me ta. Por unë nuk bëj spekulime edhe mos u bëni qesharakë. Lërini historitë mes amerikanësh, t’i zgjidhin amerikanët me njëri-tjetrin. Mos gënjeni veten se këtu jemi ne kërthiza e botës etj etj. Kështu mos ma qaj hallin fare me miqtë e mi. Kam shumë miq që mes tyre janë kundërshtarë edhe armiq. Nuk do filloj të numëroj, por merr shijo të gjithë koleksionin e të gjithë fotografive të mia dhe do shohësh se kjo është mëse e vërtetë. Këto historitë me kukulla e mjeshtri kukullash mos i hani. Po doni hajini, por nuk ju çojnë asgjëkundi.