Konferenca e kryetarëve vendosi sot që Opozita do të ushtrojë të drejtën për ngritjen e Komisioneve Hetimore, duke filluar në këtë sesion parlamentar me ngritjen e dy Komisioneve Hetimore që u rrëzuan më 12 Tetor 2023.
Sipas dakortësisë Gazmend Bardhi dhe Klotilda Bushka do të merren me diskutimet për shqyrtimin e objektit dhe ngritjen e këtyre komisioneve hetimore.
Palët kanë rënë dakort në parim që Kuvendi të ngrejë një “Nënkomision për Reformat”, që përbëhet nga 4 anëtarë , 2 cakton Çuçi – 2 cakton Bardhi, cka do të thotë që automatikisht grupi i Bashës del jashtë loje në këtë pikë.
Komisioni merr vendimet me konsensusin e të gjithë anëtarëve (veto) dhe më pas i kalon aktet e dakordësuara për shqyrtim / miratim në seancë plenare. Në këtë kuptim veton do ta vendosin deputetë të caktuar nga Cuci e Bardhi dhe jo deputetë të Bashës.
Ndërkaq Komisionit të Reformës Zgjedhore i skadon afati më 21 Mars 2024, ku bashkëkryetarët Gjiknuri dhe Alibeaj kanë dështuar deri më tani të kenë produkt ndërsa tre ditë me perpara Rama tha se nuk do të ketë shtyrje të afatit. Praktikisht përfundon dhe afati i “të besuarëve” të Bashës dhe vetë këtij të fundit në poste parlamentare dhe në negociata me shumicën në Kuvend.
Kështu me një lëvizje të pasuar me disa lëvizje të tjera me efekt domino PS-Rithemelimi janë dakortësuar të nxjerrin nga “loja” parlamentare dhe “kartën” e PD zyrtare të Bashës në raport me rolin e tij në Parlament. Në këtë kuptim rezulton që Rama me keto lëvizje njeh si opozitë zyrtare grupimin që e cilëson “non grata” për shkak se drejtohen nga Sali Berisha, i shpallur Non Grata nga SHBA në maj 2021.
Në këto kushte duket se gjithë beteja politike e rithemelimit në Parlament kundër qeverisë me zhurmues nuk paska qenë betejë me kundërshtarin politik përballë por me kundërshtarin politik të brendshëm në opozitë.
Me shumë gjasë në ditët në vijim pritet të ketë zhvillime edhe në dyert e gjykatës ku përballja e demokratëve aty është për vulën dhe kryetarin e partisë..