Shpërdorim detyre, falsifikim i dokumenteve dhe korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike për ARRSH, Bashkinë Kolonjë dhe firmën e projektimit e atë të ndërtimit.

Ky është objekti i padisë i drejtuar SPAK nga avokati Esmerald Xhafa pas shembjes së aksit Korçë-Ersekë. Avokati bën me dije për paprotokoll.com se bashkë me dokumentet përkatës në SPAK ka depozituar edhe video të aksit rrugor që u shemb dhe të punimeve që janë kryer. Avokati pretendon se për ndërtimin e këtij aksi ka patur korrupsion nga zyrtarët që kanë firmosur për procedurat në ARRSH dhe në Bashkinë Kolonjë si dhe nga firmat e projektimit dhe ndërtimit. Avokati Xhafa bëri me dije se dosja e plotë në SPAK është depozituar këtë të dielë.

Një ditë më pare është shembur një pjesë e aksit të rrugës së sapondërtuar Korçë – Ersekë , duke krijuar një gropë të madhe. Punimet në këtë aks rrugor që duhet të kishte përfunduar në qershor të vitit që lamë pas janë zvarritur prej kohësh.
Në këtë aks rrugor mësohet se kohët e fundit ka pasur rrëshqitje të dherave dhe çarje të mureve pritëse.















