Veprimet politike të muajve të fundit në Ballkanin Perëndimor sikur kanë rikthyer retorikën ndjellakeqe të krijimit të problemeve aty ku realisht edhe nuk duhet të ketë. Them që tharmin e kanë në përpjekjet e elitave politike për ruajtjen e pozicioneve, pse jo edhe të pushtetit, ndaj nuk zgjedhin mjete për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme, pa çka se dihet mirëfilli se një problem nuk zgjidhet me krijimin e një problemi tjetër, ndaj dhe zhurma, si e tillë, qofsha i gabuar, nuk ka për të prodhuar asgjë!
E pranuam ose jo, interesimi i stërtheksuar i Kryeministrit të Kosovës për organizimin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, nuk është se i ka lënë indiferentë edhe ata që më së paku merren me politikë e lëre më – politikanët. Shqiptarë e maqedonas! Kjo për shkak se Maqedonia e Veriut është në prag të zgjedhjeve dhe pse Kryeministri e eksponentë të tij, me morinë e kontakteve me liderët e opozitës shqiptare, sikur po e vënë në plan të parë interesin edhe të partive maqedonase për të çuar në opozitë partinë Bashkimi Demokratik për Integrim (“BDI në opozitë, pse jo” – e pati artikuluar Zoran Zaevi gjatë fushatës së fundit parazgjedhore). Me fjalë të tjera, LVV-ja e Kosovës nga pozicioni i partisë në pushtet po bën çmos që, edhe kësaj here, “t’i bind” shqiptarët me atë që pati thënë, gjatë fushatës zgjedhore në Maqedoni më 2020, Kryeparlamentari aktual kosovar se “18 vjet mjaltë me hangër t’bon dom, e leje ma n’pushtet!”
Atëbotë, investimi i LVV-së (nga Kosova) dhe VMRO-DPMNE-së e LSDM-së për të bërë “ndryshimin” në kampin politik shqiptar në RMV, doli si ajo popullorja – “mbolli bostan e i dolën kastravecë”: Integristët ia dolën të mbeten partia që në gjithë hapësirat shqiptare i ka fituar të gjitha zgjedhjet e përgjithshme.
Çfarë dhe pse po ndodhë kjo që po ngjet aktualisht?
Për zgjedhjen e Talat Xhaferit kryeministër i parë shqiptar, edhe mund të bëhen vërejtje, ama të thuhet se ai na qenka një “shqiptar i ndershëm” i çiftit të një politikani, të ndjerë, nga Kosova, që një kohë ushtroi postin e numrit një në udhëheqjen kolektive të ish-federatës jugosllave, siç e bëri këto ditë Këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, kjo është jo vetëm e pahijshme, por edhe manifestim i një arrogance që sikur të kishte ndodhur me ndonjë vend tjetër, të paktën do të pasohej me ndonjë notë (proteste) diplomatike. U mor vesh, nëse flasim për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, po pse jo, edhe nëse ia duam të mirën popullit shqiptar në Maqedoni!
Të merremi vesh: Interesimi kaq i gjallë e plotë altruizëm i lidershipit të sotëm të Kosovës edhe do të kishte kuptim, ta zëmë, nëse e ka detyrim kushtetues si Shqipëria që “mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj” (neni 8 i Kushtetutës), apo sikur Prishtina zyrtare të mos e ketë këtë problemin që realisht e ka me serbët në Kosovë dhe që me të drejtë e akuzon Beogradin zyrtar se po i mban nën “tutelën e tij”!
Së këndejmi, implikimi kaq i hapur në zhvillimet politike në kampin politik të shqiptarëve në Maqedoni, duke mbajtur anë e duke minimizuar postin e “kryeministrit teknik”, apo edhe duke e nxjerrë si çështje kandidaturën e një presidenti shqiptar në zgjedhjet e 24 prillit (pa çka se ai nuk fiton, pa çka se kompetencat kushtetuese të tij janë shumë më të vogla se ato të shefit të shtetit të Kosovës, fjala vjen!), besoj se nuk mund t’i forcojë pozitat negociatore të palës kosovare me atë serbe. Përkundrazi: krijon më shumë telashe e probleme.
Pikërisht për shkak të arsyeve të sipërthëna, duket se harxhimi i një energjie kaq të madhe mund të interpretohet vetëm si: a)-përpjekje për zhvendosje të vëmendjes nga problemet e brendshme dhe – b)- duket si një përçapje për t’i bërë karshillëk Tiranës zyrtare se në Maqedoni – “fjalën e kam unë”! Përtej kësaj, as sot e kësaj dite nuk po merret vesh gjithë ky inat i Prishtinës zyrtare për kreun e integristëve që, dorën në zemër, në të gjitha paraqitjet publike nuk ka lënë hapësirë për t’i thënë plaç!
Uroj që të mos vijë në shprehje ajo e njohura: ”Kush mbjell erën, do të korrë furtunën!”. Sepse, nuk është as vendi e as momenti…