Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë ndodhet në një situatë të paprecedentë që rrezikon seriozisht punën e profesionistëve në fushën e stomatologjisë, për shkak të një konflikti të brendshëm që ka nisur vite më parë për drejtimin e tij, mes Nikoll Dedës dhe Almiro Gurakuqit.
Mësohet se më 12 Nëntor, Gjykata Administrative e Apelit ka marrë një vendim të formës së prerë i cili ka përmbysur të gjitha vendimet dhe veprimet e mëparshme, të dala nga Urdhri i Stomatologut.
Sikur të mos mjaftonte konflikti i brendshëm që ka nisur prej vitesh, vendimi i dy ditëve me parë nga gjykata, e ka futur institucionin në një situatë alarmante e cila rrezikon seriozisht dokumentacionin, legjitimitetin e licencave profesionale dhe funksionimin e Urdhrit të Stomatologut.
Vendimi ka nxjerrë në pah një krizë të thellë institucionale që është fshehur sistematikisht nga publiku dhe profesionistët e fushës.
Për këtë situatë ka reaguar sipërmarrësi i Gremi Clinic Dritan Gremi, një nga njerëzit që ka investuar punë energji dhe para në këtë fushë duke e konsideruar këtë situatë të rrezikshme për këtë industri.
Sipas këtij vendimi-thotë ai- situata futet në kolaps dhe nga e hëna asnjë klinikë nuk duhet hapur sipas vendimit të Gjykatës.
Ai shkruan:
Praktikisht, me këtë vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit Administrativ, nga sot të gjithë mjekët stomatologë në Shqipëri rezultojnë pa licenca të vlefshme.
Dhe nëse ndjekim logjikën e ligjit, atëherë të gjitha klinikat dentare duhet të mbyllen, sepse çdo klinikë funksionon vetëm nëse mjeku është i licencuar. Ky është realiteti i hidhur. Ky është shteti ku jetojmë. Ky është sistemi ynë i drejtësisë, fryt i një “reforme” të dështuar, që përveç SPAK-ut nuk ka sjellë pothuajse asnjë të mirë. Përkundrazi.
Institucionet tona, që duhet të kishin reaguar me kohë, janë aq të mefshta sa u duhen reagimet tona individuale në rrjete sociale për të kuptuar gravitetin e situatës. Kur një sektor i tërë mbetet pa licenca dhe askush nuk lëviz gishtin, çdo gjë tjetër është fasadë.
Me pak fjalë, nëse MSH nuk del urgjentisht me një vendim, asnjë klinikë dentare nuk mund te hapë dyert të hënën..
Pastaj kemi paradoksin tjetër. Ata që preken drejtpërdrejt nga kjo, mjekët stomatologë, që mbyllin gojën dhe nuk thonë asnjë fjalë. Të frikësuar, të shtypur, të mësuar të heshtin, ose të flasin vetëm nëpër mejhane. Revolucionet i bëjnë vetëm aty, me gotë në dorë, duke marrë nëpër gojë dynjanë, ndërsa për veten, për të drejtat e tyre, për licencën e punës që po u hiqet, kanë frikë, nuk nxjerrin dot një fjalë. Më vjen keq, por në këtë pjesë unë them hapur: mirë t’u bëhet. Kush nuk ngre zërin për veten, mbetet viktimë e sistemit që e meriton.
Dhe ndërkohë që gjithë sistemi është në kolaps, më vjen ftesë nga një shoqatë që po organizon “Samitin e parë të Turizmit Mjekësor”, në një hotel luksoz, me institucione shtetërore të ulura në podium. Ndërkohë që mjekët janë pa licenca. Ndërkohë që euro ka arritur pikun e saj në raport me lekun dhe situata e turizmit shëndetësor është në nivelin më kritik.
Ndërkohë që mungojnë protokollet. Ndërkohë që ligjet nuk zbatohen. Ndërkohë që standardet janë zero. E megjithatë këta organizojnë samite.
E gjithë Shqipëria po vuan sëmundjen e fasadave boshe. Të gjithë bëjnë evente, samite, panele, fotografi. Zero substancë. Zero themel. Zero përgjegjësi. Vetëm fasada.
Para se të organizojnë samite fasadash, le të rregullojnë licencimin e mjekëve, protokollet, ligjet, rregulloret, standardet e sigurimit dhe gjithë themelin e sektorit. Vetëm atëherë mund të flasin për turizëm mjekësor.
Sepse turizmi mjekësor nuk ndërtohet me fasada dhe gala dinners. Ndërtohet me besim, licenca të vlefshme, rregulla të qarta, protokolle të mirëfillta, standarde të forta dhe kontroll real.














