Transparenca e limituar rreth shpenzimit të parasë publike kryeministrave në Kosovë dhe Shqipëri

Gazetarët në Shqipëri dhe në Kosovë sfidohen nga mungesa e të dhënave për shpenzimet për luks të qeverive të dy vendeve. Edhe pse koncepti i ‘Open data’ është përqafuar nga Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës numri i të dhënave të hapura për shpenzimet për dreka, darka apo për karburant është i limituar.

Të dhënat duhet të kërkohen me kërkesa për qasje në dokumente publike ndërsa kjo vështirëson punën hulumtuese të gazetarëve të cilët në raste u janë drejtuar edhe gjykatave për të siguruar të drejtën për të marrë informacione.

Raporti i “Freedom of Information 2023” i publikuar nga BIRN në qershor të vitit 2024 thekson se institucionet publike në Ballkanin Perëndimor janë bërë më ngurrues për t’iu përgjigjur kërkesave të gazetarëve, qoftë pyetjeve apo intervistave. Në këtë raport nënvizohet se praktika e “heshtjes administrative” është përhapur.Në Kosovë gjatë vitit 2024 Agjencia për Informim dhe Privatësi ka trajtuar tri raste ku Qeveria nuk kishte ofruar të dhëna për shpenzimet.

Kjo Agjenci në një përgjigje për BIRN thot se arsyeja e vonësës ishte mungesa e stafit administrativ në Qeveri.“Dëshmi e refuzimit, heshtjes apo kufizimit janë këto tri ankesa të adresuara pranë AIP-së, megjithëse, arsyeja më e shpeshtë nga ky institucion për mostransparencë për sa u përket shpenzimeve lidhet me pamundësinë e gjenerimit të të dhënave të shpenzimeve nga ana e njësisë përgjegjëse (Zyrës së Financave)” – thuhet në përgjigjen e AIP-së.

Në ambientin e Shqipërisë, gazetarët dhe publiku janë obliguar të dërgojnë një mal me ankesa te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.Sipas të dhënave nga ky institucion rezulton se nga viti 2014 e deri në fund të vitit 2023 Komisioneri ka shqyrtuar 6.893 ankesa.

Nga ky numër gazetarët kanë depozituar pranë kësaj Zyre për vitin 2020 gjithsej 265 ankesa; për vitin 2021 gjithsej 409 ankesa; për vitin 2022 gjithsej  456 ankesa, kurse për vitin 2023 gjithsej 395 ankesa.

Sfidat e gazetarëve dhe të OJQ-veMe gjithë ekzistencën e këtyre dy mekanizmave (Agjencisë për Informim dhe Privatësi, në Kosovë, dhe Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në Shqipëri), gazetarët në raste janë obliguar t’i drejtohen gjykatës për të realizuar të drejtën e tyre.

Në vitin 2015, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) kishte fituar rastin në Gjykatë ndaj Zyrës së Kryeministrit për shpenzimet e parasë publike në kohën kur kryeministër ka qenë Hashim Thaçi.

Xheneta Murtezaj nga BIRN thot se ky vendim  i vetëdijesoi institucionet që të përgjigjen më shpejt në kërkesat për qasje në dokumentet publike, mirëpo, sipas saj, ende institucionet vazhdojnë të vonojnë qasjen.“Përkundër këtij vendimi ne brenda vitit obligohemi që mbi 20 ankesa t’i drejtojmë në AIP për të obliguar institucionet që të na ofrojnë qasje në dokumentet publike” – thot Murtezaj. Ajo sqaron se Zyra Ligjore e BIRN-it është duke hartuar padi të tjera për rastet ku kërkesat për qasje janë refuzuar.

Esmeralda Topi, redaktore në Faktoje.al, platformë kjo që merret me verifikimin e fakteve, thot se përballja e vazhdueshme dhe vështirësia për të marrë informacion e ka detyruar shpesh këtë media jo vetëm t’i drejtohet Komisionerit për të Drejtën e Informimit, por edhe gjykatës.

Sipas Topit, sa më sensitiv të jetë informacioni i kërkuar, aq më e cunguar është përgjigjja. Ajo shpjegon se bashkëpunimi me Agjencinë për Media dhe Informim ka qenë i frytshëm, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë kur vjen puna te kërkesat për informim drejtuar Kryeministrisë.“Për shembull, Memorandumi i Bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-së, dokument ku thuhet se është bazuar ngritja e Komisionit për Dezinformimin, është një nga rastet ku Këshilli i Ministrave ka shkelur Ligjin për të drejtën e informimit ndaj Faktoje.al.

 Në tejkalim të çdo afati ligjor, procesi i ankimimit pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit vijon të zvarritet prej muajsh”- ka thënë Topi në një përgjigje për KALLXO.com.

Sipas saj, ky është një nga mijëra rastet ku institucionet shtetërore shkelin Ligjin për të drejtën e informimit. Ndërkaq, gazetarja Murtezaj nga KALLXO.com thekson se nga qershori i vitit 2021 Kosova ka një Komisionere për Privatësi dhe Informim, në të cilën adresë gazetarët dhe qytetarët  drejtohen në rastet kur u mohohet, refuzohet apo nuk u jepet informacioni ose qasja e kërkuar.“Komisionerja për të Drejtën për Informim është përgjegjës për sigurimin e zbatimit të ligjeve për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Aksesin në Dokumente Publike si dhe për rregullimin e procedurave për ankesat administrative. Më parë, Avokati i Popullit ndihmonte publikun në realizimin e të drejtës për qasje në dokumente publike sipas Kushtetutës”- thot Murtezaj.

Murtezaj vlerëson se në disa raste si gazetarë konsiderojnë se afati 30-ditor për Agjencinë për Informim dhe Privatësia për të marrë një vendim është shumë i gjatë. Megjithatë, ajo nuk përjashton faktin se kanë një bashkëpunim shumë të mirë me Agjencinë dhe se është aleat dhe ndihmë e madhe në mbledhjen e informacionit.

Redaktorja e Faktoje.al përmend një rast kur i janë drejtuar gjykatës për shpenzimet e kryeministrit Edi Rama për fluturime jashtë vendit, pasi Kryeministria kishte refuzuar të jepte informacionin e kërkuar me pretendimin që shkel të drejtat e kompanisë së fluturimit që është kompani private.“Pas më shumë se dy vitesh çështja ka mbetur ende pa vendim dhe zvarritet në dyert e gjykatave pasi Kryeministria ka refuzuar të japë faturat e kërkuara nga që në vitin 2019 dhe çështja pret ende të gjykohet në Apelin e Gjykatës Administrative”- shpjegon Esmeralda Topi.

Duke ironizuar këtë situatë, eksperti për çështjet ekonomike në Shqipëri, Pano Soko, është shprehur për KALLXO.com se “Në vendin më të varfër në Europë, kryeministri shqiptar merr një avion personal tip JET, ky është paradoksi më i madh në vendin tonë dhe tregon për qasjen që ka Qeveria për nxjerrjen e vendit nga varfëria”.

Organizata joqeveritare FOL, që fokusohet në luftën kundër korrupsionit në Kosovë, ka një qasje më kritike ndaj nivelit të transparencës financiare të Zyrës së Kryeministrit (ZKM).

Sipas drejtoreshës ekzekutive të kësaj organizate, Mexhide Demolli, raportet financiare të ZKM-së janë vetëm pjesërisht të qasshme për publikun.“Informacione të përgjithshme mbi buxhetin mund të gjenden në dokumente si Korniza Afatmesme e Shpenzimeve dhe raportet vjetore të buxhetit, që publikohen në ueb-faqen e ZKM-së.

Megjithatë, niveli i detajeve të ofruara është shumë i kufizuar, duke mos përfshirë shpenzime për udhëtimet zyrtare, mëditjeve etj., çka kufizon aftësinë e qytetarëve për të monitoruar përdorimin e fondeve publike” – deklaron Demolli.

Demolli thekson se kërkesat për qasje në dokumente publike janë mjete të rëndësishme të transparencës teksa shton se efektiviteti i këtyre kërkesave varet shumë nga vullneti institucional për të ofruar qasje të plotë dhe në kohë.Sipas saj, Ligji për Qasje në Dokumente Publike ofron një kornizë të mirë ligjore, por zbatimi i tij shpesh mbetet sfidues.“Megjithatë, ashpërsimi i masave ndëshkuese për mospublikimin e dokumenteve, të cilat do të duhej të publikoheshin me vetiniciativë të institucioneve, është i domosdoshëm”- shton ajo.

Një tjetër problem që ka identifikuar FOL është mungesa e llogaridhënies për zbatimin e Planit Kombëtar për Zhvillim (PKZH). Në raste të tilla, Demolli shpjegon se si organizatë janë drejtuar me ankesa në AIP për të siguruar qasjen në dokumentet e kërkuara.“

Ka pasur raste kur ZKM-ja apo dikasteret përkatëse kanë refuzuar të ofrojnë informacione mbi zbatimin e aktiviteteve/objektivave të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim (PKZH). Në raste të tilla, FOL ka dërguar ankesa në AIP për të siguruar qasjen në dokumentet e kërkuara”- tregon Demolli.

Demolli argumenton se në vitet e fundit është vërejtur një përmirësim i moderuar në transparencën financiare të institucioneve publike falë presionit të vazhdueshëm të organizatave të shoqërisë civile dhe mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë.“Presioni i vazhdueshëm nga shoqëria civile ka pasur impakt në rritjen e transparencës financiare, megjithëse jo në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Transparenca dhe llogaridhënia e ZKM-së vazhdojnë të mbeten sfida të vazhdueshme, por me përmirësime të mundshme përmes zbatimit më të mirë të ligjit, presionit të shoqërisë civile dhe angazhimit të qytetarëve për të kërkuar qasje më të madhe në informacione publike”- ka thënë Demolli për KALLXO.com.

Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë në një konferencë në qershor të vitit të kaluar kishte deklaruar se “Çdo vendim qeverie, çdo vendim institucioni, çdo pjesë e dokumentacionit të çdo marrëveshjeje, të çdo marrëdhënie kontraktuale që nuk hyn në atë hapësirën e ngushtë të konfidencialitetit duhet të jetë publike…”.

Mirëpo faktet janë krejtësisht ndryshe sipas drejtuesit të Institutit për Studime Politike në Shqipëri, Afrim Krasniqi. Ai shprehet se gjatë viteve kanë kërkuar informacione në Kryeministri në lidhje me shpenzimet, porse nuk kanë marrë përgjigje të plota.“Përgjatë viteve ne kemi kërkuar disa herë informacion dhe të dhëna që lidhen me Kryeministrinë, të dhëna që lidhen me stafet, me emërimet me mënyrën e emërimeve , strukturat e brendshme, me shpenzimet financiare të udhëtimit, kontratat me ‘Air Albania’, me kontratat e lobingut dhe shpenzime të tjera që lidhen me periudha specifike elektorale. Pothuajse në asnjë rast nuk kemi marrë përgjigje të plotë dhe shteruese siç e parashikon ligji”- thot Krasniqi për KALLXO.com.

Siç thot Krasniqi, Kryeministria ka përdorur të gjithë mekanizmat për të zvarritur transparencën e veprimeve dhe shpenzimeve  duke e deleguar dhënien e  informacionit në institucione të tjera të varësisë që në fakt nuk kanë kapacitetin për ta dhënë informacionin e kërkuar. “Në shumicën e rasteve Kryeministria ka një sistem të tillë sipas të cilit edhe dërgon letrën një drejtori tek një autoritet tjetër duke e kaluar përgjegjësinë për të thënë që brenda 10-ditëshit ne jemi përgjigjur por ndërkohë që autoritetet e tjera nuk ofrojnë informacion dhe nuk kanë lidhje direkte me personin që e bën kërkesën për informim dhe si e tillë të dhënat pamundësohen”- shpjegon tutje Krasniqi.

Gjatë këtij hulumtimi BIRN ka kërkuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës dhe nga Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë qasje në dokumentet publike lidhur me faturat dhe shpenzimet për katër vitet e fundit, për dreka dhe darka zyrtare si dhe shpenzimet për udhëtimet zyrtare të stafit të ZKM-ve përkatëse, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli asnjëra nuk kanë kthyer përgjigje. Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë, duke devijuar përgjigjen me të dhënat që i kërkohen, përmes e-mailit kërkon “saktësim” të dokumenteve të kërkuara për çdo darkë apo drekë të kryeministrit. Në përgjigje të këtij e-maili u dërgua një tjetër kërkesë për informacion sipas “kushteve” të Kryeministrisë, por ende nuk ka asnjë përgjigje.

Ky artikull është prodhuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Europian në kuadër të projektit “Fuqizimi i lajmeve cilësore dhe gazetarisë së pavarur në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi II”. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.

nga Ilirjana Hoti dhe Anduela Ndreu

ME TE SHIKUARAT

Facebook
Facebook
Twitter
LinkedIn