Prokuroria e Posaçme ka nisur hetim pasuror ndaj ish-kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe.
Burime bëjnë me dije se dyshohet që ish- zyrtarit të lartë të bashkisë i janë gjetur pasuri të fshehura në emër të personave të tjerë.
Tushe është paraqitur sot në ambientet e SPAK së bashku me avokatin e tij.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Tushe u shpreh se paraqitja e tij në SPAK ishte për mos deklarimin e një pasurie.
Fatos Tushe ka qenë i dënuar më parë për ‘shpërdorim detyre’ dhe lejim të ndërtimeve pa leje. Ai u arrestua në korrik të vitit 2021 nga një operacion i ndërmarrë nga SPAK për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Dënimi ndaj tij ishte me 2 vite e 4 muaj burg. Ndërkohë Apeli i GJKKO e shpalli fajtor edhe për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, për të cilën iu shtua dënimi edhe me 1 vit tjetër.
Tushe përfundoi dënimin pak kohë më parë për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.















