Këtë të enjte ka nisur cikli i dëgjesave publike për Kodin e ri Penal, me një seancë shpjegimore të grupit të ekspertëve, nën drejtimin e Profesor Arben Rakipit, referuar ideve, opinioneve kritike dhe pretendimeve të publikuara nga burime të ndryshme pas prezantimit të draftit në muajin korrik.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, gjatë fjalës së tij u shpreh se këto tryeza janë menduar për të dhënë përgjigje lidhur me procesin, rolin e ministrisë dhe aspektet e veçanta të draftit të Kodit të ri Penal. Mes të tjerash ai theksoi se Ministria e Drejtësisë ka pasur rolin e porositësit të këtij drafti, në emër të qeverisë shqiptare, si pjesë e detyrimeve të marra në kuadër të strategjisë ndërsektoriale të drejtësisë dhe procesit të negociatave me Bashkimin Evropian.
Manja rikujtoi se pas Reformës në Drejtësi në vitin 2017, u miratua strategjia ndërsektoriale e drejtësisë 2017–2021, e cila përcaktoi objektivat kryesore për përmirësimin e legjislacionit penal në përputhje me standardet evropiane. Në shkurt të vitit 2019, sipas tij, nisën vlerësimet e para për një nismë që fillimisht kishte për qëllim disa ndryshime të pjesshme në Kodin ekzistues, por për shkak të ndërhyrjeve të shumta që kishte pësuar ligji që nga miratimi i tij në vitin 1995, u arrit në përfundimin se ishte e nevojshme hartimi i një Kodi të ri.
Ministri Ulsi Manja: E menduam këtë tryezë sot për të dhënë disa përgjigje në lidhje me procesin, rolin e ministrisë së Drejtësisë por edhe për aspekte të veçanta të draftit të Kodit të Ri Penal. Roli i ministrisë së Drejtësisë në këtë proces është ai i porositësit të drafit të Kodit të ri. Jemi ne, ne emër të qeverisë shqiptare që e kemi porositur këtë draft edhe si përmbushje e detyrimeve tona në kuadrin e strategjisë ndërsektoriale të drejtësisë por edhe të procesit të negociatave me BE. Pas Reformës në Drejtësië në vitin 2017 është miratuar strategjia ndërsektoriale e drejtësisë 2017-2021, strategji e cila përcaktoi objektivat në 4 vite në fushën e drëjtësië. Në pikën 4 thuhet që Shqipëria merr përsipër përmirësimin e legjislacionit penal në përputhje me standardet evropiane.
Drafti i parë iu përcoll për mendim ekspertëve italianë, ndërsa në vitin 2023 u ngrit një grup pune për rishikimin nen për nen të tij. Ministri Manja tha se vetëm gjatë periudhës shkurt–tetor janë zhvilluar 40 takime me ekspertë të fushave të ndryshme, duke çuar në prezantimin e parë publik të draftit më 25 korrik.
Sipas tij, Shqipëria duhet të ketë një Kod të ri Penal deri në fund të vitit 2026, pasi kjo është pjesë e angazhimeve të vendit në kuadrin e integrimit evropian. Ai nënvizoi se procesi ka qenë i gjatë dhe i detajuar, me synimin për të sjellë një kod modern dhe në përputhje me realitetin e ri shoqëror dhe juridik të vendit.
Ministri Ulsi Manja: Në shkurt të 2019 janë kryer vlerësimet e para për ndërmarrjen e një iniciative për hartimin e Kodit të Ri penal, e cila në fillim ishte një nismë që synonte disa ndryshime të pjesshme në Kodin Penal ekzistues. Por për shkak të ndryshimeve të shumta që kishte pësuar Kodi që në vitin 1995 kur ishte miratuar për herë të parë, është konkluduar që duhet vijuar me hartimin e një drafti të ri të Kodit Penal. Drafti i hartuar i është përcjellë për medim disa ekspertëve italianë. Në vitin 2023 si ministër i Drejëtsisë kam ngritur një grup pune për të bërë një vlerësim të drafit të shkruar të Kodit Penal. I kam lënë afat këtij grupi pune (fundi i tetorit 2023) sepse na duhet të kapim agjendën tonë të negociatave dhe integroimit me BE. Shqipëria duhet të ketë një Kod të Ri penal në fund të vitit 2026. Gjatë periudhës shkurt-tetor është rishkikuar drafti nen për nen dhe janë kryer 40 takime me ekspertë të fushave të ndryshme me qëllim diskutimin nen për nen të draftit. Më 25 korrik patëm prezantimin e parë të këtij Kodi nga grupi i punës. Ky është rocesi, një proces i cili ka filluar që në vitin 2019. Kemi të bëjhmë me një draft të Kodit Penal që ka marrë një kohë të madhe të shkrimit dhe hartimit të tij si draft. Shqipëria do të ketë një kod të ri penal vetëm pas një procesi të gjerë të konsultimeve të brendshme dhe vetëm pasi të marrë vulën në Bruksel.