SKANDALI/Qumështi helmues përfundon në tavolinat tona!

Ndërkohë blegtorët nuk gjejnë treg ose e shesin qëmushtin të nënçmuar, ndodh çudia; në treg shitet qumësht i ndotur i ardhur kryesisht nga importi


Pas një sërë produktesh të kontaminuara, një tjetër produkt është zbuluar se përmban toksina kancerogjene. Presidenti i Urdhrit të Mjekut Veterinar, Ervin Resuli, është shprehur se shqiptarët kanë konsumuar qumësht dhe nënprodukte të tij të ndotura me aflatoksinë M1, një toksinë kancerogjene dhe shumë e rrezikshme për shëndetin e njeriut.

Komentet Resuli i bëri përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shkruar se nga 26 mostra të marra nga janari 2024 deri në prill 2025, 10 prej tyre kanë rezultuar pozitive, pra sipas tij, gati 40% i qumështit të kontrolluar ishte i kontaminuar mbi normat e sigurisë ushqimore.

Kujtojmë se ky denoncim vjen pas skandaleve të luleshtrydheve me pesticide dhe mishit të pulës me salmonelë.

“Në vitin 2024 ishin vetëm 2 mostra jokonforme. Por vetëm për katër muajt e parë të vitit 2025, janë zbuluar 8 mostra jokonforme, disa me vlera tronditëse si 0.882 µg/kg, shumë mbi kufirin e lejuar maksimal prej 0.05 µg/kg”, thotë Resuli, duke shtuar se autoritetet kanë marrë vetëm disa “masa administrative” duke bllokuar produktin vetëm pas konsumit.

Resuli shkruan gjithashtu se Ministria e Bujqësisë e ka fshehur skandalin e Aflatoksinës.

“Kanë kërkuar “gjurmueshmërinë”, ndërkohë që qumështi helmues ka përfunduar në tavolinat tona, në gotën e fëmijëve tanë, në çerdhet, kopshtet, shkollat, spitalet, shtëpitë tona. Ku janë rezultatet e inspektimeve për qumështin që qarkullon në fabrika, baxho, supermarkete, qumështore, restorante dhe markete lagjesh? Pse nuk është ngritur asnjë kallëzim penal për shpërndarjen e ushqimeve të rrezikshme? Kush janë fabrikat burimi i këtij produkti të ndotur?”, reagon Resuli.

Ndërkohë, për këtë rast nuk ka ende asnjë reagim nga AKU apo Ministria e Bujqësisë.

ME TE SHIKUARAT

Facebook
Facebook
Twitter
LinkedIn