NGA SOKOL BREGU
Në Shqipëri, ku mediat tradicionale dhe rrjetet sociale kanë një ndikim të madh në formimin e opinionit publik, cenimi i privatësisë po kthehet gjithnjë e më shumë në një problem të rëndësishëm juridik dhe shoqëror. Publikimi i fotografive, videove, bisedave apo informacioneve personale mund ta ekspozojë një individ ndaj vëmendjes së pakontrolluar të publikut, duke e kthyer jetën e tij private në objekt diskutimi, paragjykimi dhe gjykimi kolektiv. Në shumë raste, shpërndarja masive e këtyre materialeve nuk nxitet nga një interes i vërtetë publik, por nga kurioziteti, kërkimi i sensacionit dhe prirja për të gjykuar veprimet e të tjerëve pa njohur plotësisht rrethanat. Pasojat për individin janë cenimi i dinjitetit, reputacionit dhe qetësisë personale, ndërsa përhapja e pakontrolluar e informacionit e bën të vështirë rikthimin e situatës në gjendjen e mëparshme. Ky fenomen, me përmasa të panjohura më parë në Shqipëri, ngre një pyetje thelbësore: deri ku mund të shtrihet liria e shprehjes për të informuar publikun, pa cenuar të drejtën e individit për respektimin e jetës private.
Rastet që ekspozuan problemin
Shqipëria u përball më fort me këtë situatë në rastin e publikimit të videove intime të disa artistëve në kohët e fundit. Ky rast nuk ishte i pari. Ai vinte pas një vargu publikimesh të videove erotike apo të pamjeve të personave të ndryshëm, të xhiruara me celular, kryesisht në rrugët e kryeqytetit.
Rastet e mëparshme kishin kaluar pa reagim të gjerë, pasi personat e përfshirë ishin individë të thjeshtë dhe jo figura publike. Megjithatë, disa prej tyre, fotot ose videot e të cilëve u publikuan, pësuan pasoja të rënda shëndetësore, ndërsa në disa raste kryen nga dëshpërimi akte kundër shëndetit të tyre.
Shpërndarja e këtyre videove ngre pyetjen nëse ekziston një mënyrë për të frenuar turmën dixhitale, e cila kthehet në një nga kërcënimet më të mëdha për privatësinë e njeriut. Në Shqipëri, cenimi i privatësisë së tjetrit shpesh nuk perceptohet si shkelje, por si argëtim. Mekanizmi është i njohur: një person beson dikë dhe regjistron diçka që më vonë nuk do të donte të ekzistonte. Por materiali nuk është më në dorën e tij, sepse dikush tjetër vendos ta ekspozojë dhe ta shpërndajë. Një fotografi mund të fshihet nga një telefon, por jo domosdoshmërisht nga mijëra pajisje të tjera, sepse interneti nuk harron. Mbetet pyetja nëse ka mënyra për t’u mbrojtur prej kësaj.
Mjetet ekzistojnë, reagimi institucional mungon
Eksperti i teknologjisë Besmir Semanaj thotë se:
“Mjetet ekzistojnë dhe janë falas. Sot platformat e mëdha i japin çdo fotoje ose videoje një ‘gjurmë dixhitale’ dhe e bllokojnë automatikisht sa herë dikush tenton ta ringarkojë. Shërbime si StopNCII.org e bëjnë këtë pa e dërguar materialin askund. Google heq nga kërkimi imazhet intime të publikuara pa pëlqim. Në Evropë, një autoritet që vepron brenda orëve të para, bashkë me policinë kibernetike dhe me platformat, mund ta mbysë një material para se të bëhet fenomen. Në Shqipëri pamë të kundërtën. Kur videot intime të disa artisteve nisën të qarkullonin masivisht në fund të shtatorit, reagimi i parë i policisë ishte se nuk kishte procedim penal. Arsyeja: viktimat ende nuk kishin bërë kallëzim. Pra, ndërsa materiali shpërndahej në mijëra telefona, shteti priste që vetë viktima, në momentin më të poshtëruar të jetës së saj, t’i trokiste në derë. Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale doli me një deklaratë që u bënte thirrje portaleve dhe përdoruesve të ndalonin shpërndarjen. Një thirrje, jo një urdhër. Ndërkohë, dy ditë më vonë, në një faqe të vetme ishin ende aktive 18 video. Kjo nuk është mbrojtje. Është koment nga tribuna”.
Sipas Semanajt, kjo ishte vazhdim i një apatie që institucionet kishin shfaqur edhe më herët. Për të, nuk është rasti i parë:
“Në vitin 2021, pagat dhe të dhënat personale të mbi 600 mijë shqiptarëve dolën në internet nga bazat e të dhënave shtetërore. Po atë vit qarkulloi në rrjete sociale dhe aplikacione mesazhesh databaza me të dhënat e qindra mijëra votuesve. Kryeministri kërkoi falje. Por askush nuk arriti t’i fshijë ato skedarë nga qarkullimi. Institucionet që nuk mbrojnë dot as të dhënat që mbajnë vetë, nuk ka si të mbrojnë dot privatësinë e qytetarit kur ajo vidhet nga dikush tjetër. Problemi pra nuk është teknologjia. Problemi është një shtet që reagon me deklarata, pret kallëzime kur duhet të veprojë vetë, nuk ka marrëveshje funksionale me platformat për heqje të shpejtë, dhe nuk e njofton viktimën se çfarë mjetesh ka në dispozicion. Derisa kjo të ndryshojë, barra mbetet te ne. Kush e merr një material të tillë dhe e dërgon më tej nuk është spektator, është bashkautor i dëmit. Nëse institucionet nuk e ndalin zinxhirin, të paktën secili prej nesh mund të refuzojë të jetë hallka e radhës.”, shpjegon ai.
Ligji në letër dhe zbatimi në praktikë
Shqetësimet për privatësinë nuk kufizohen te shpërndarja e materialeve nga individët. Në raportin për protestat e fundit të studentëve, institucioni i Avokatit të Popullit ngriti si një nga shqetësimet kontrollin e telefonave. Në raport thuhet se:
“Disa të mitur dhe të rritur raportuan se u është kërkuar të zhbllokojnë telefonat celularë dhe të lejojnë kontrollin e të dhënave personale, pa vendim gjykate, madje edhe kur nuk kishte akuzë të ngritur nga prokuroria. Kjo krijon edhe njëherë tjetër hendekun e madh qe ka jo vetëm shoqëria por edhe sistemi në tërësi në vend në lidhje me privatësinë”.
Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, analizon kuadrin ligjor shqiptar dhe vëren se garancitë bazë për mbrojtjen e jetës private janë të sanksionuara qartë në Kushtetutë dhe në Kodin e Procedurës Penale. Sipas tij, letra e ligjit ofron mbrojtje, por sfida reale qëndron te dinamika me të cilën zhvillohet teknologjia dhe hapësira digjitale. Ai shprehet se:
“Sfidat procedurale të kohëve të fundit kanë treguar se legjislacioni origjinal ka pasur nevojë për testime të forta dhe interpretime të thelluara kushtetuese për të mbuluar boshllëqet e zbatimit në praktikë. Për të kuptuar nëse sistemi është i përgatitur, mjafton të analizojmë qasjen ndaj sekuestrimeve të pajisjeve kompjuterike dhe telefonave inteligjentë. Praktika e rëndomtë e organit të akuzës ka qenë shpesh sekuestrimi masiv dhe i pakushtëzuar, një cenim i drejtpërdrejtë i të dhënave personale pa filtra të qartë dhe me një arsyetim të mangët ligjor. Kjo inerci u godit thelbësisht nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr. 44/2025, i cili vulosi një standard të ri dhe të domosdoshëm për privatësinë digjitale gjatë hetimeve penale, duke krijuar një precedent kyç që detyron vendosjen e balancës mes interesit të hetimit dhe të drejtave themelore të individit”.
Mbetet pyetja nëse gjykatat dhe prokuroritë janë vërtet të gatshme ta zbatojnë këtë procedurë sipas gërmës dhe frymës së ligjit. Beci vëren se:
“Përvoja në sallat e gjyqit dëshmon se ka ende shumë rezistencë. Prokuroria shpesh tenton të ndjekë rrugën e vjetër dhe më të lehtë, duke i trajtuar garancitë e privatësisë si pengesa procedurale e jo si parime thelbësore të procesit të rregullt ligjor. Nga ana tjetër, gjykatat, ndonëse sot kanë udhëzues të qartë kushtetues, jo rrallë shfaqin hezitim në goditjen proaktive të këtyre shkeljeve, duke bërë që barra kryesore për të mbrojtur këto standarde të bjerë tërësisht mbi mbrojtjen. Mund të themi se Shqipëria po e formëson legjislacionin dhe jurisprudencën e duhur për privatësinë, por zbatimi mbetet në një fazë të vështirë tranzicioni. Gatishmëria e sistemit të drejtësisë nuk matet me ligjet e shkruara në letër, por me vullnetin e prokurorëve dhe gjyqtarëve për të hequr dorë nga automatizimi i masave shtrënguese dhe për të respektuar të drejtat themelore në çdo procedurë, si detyrim dhe jo si opsion”, përfundon ai.
Standardi i Strasburgut
Për vendet europiane që janë përballur më parë me të njëjtin problem, drejtimin e ka dhënë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e cila luan një rol të rëndësishëm në përcaktimin e kufijve ndërmjet lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së privatësisë. Gjykata ka theksuar se fakti që publiku është i interesuar për jetën e një personi nuk e bën automatikisht atë informacion me interes të përgjithshëm.
Rasti më i njohur është ai i Princeshës Caroline von Hannover, e cila kundërshtoi publikimin në revista gjermane të fotografive që e tregonin në jetën e saj të përditshme, jashtë funksioneve zyrtare. Pasi gjykatat gjermane nuk ia pranuan plotësisht kërkesat, ajo e çoi çështjen në Strasburg. Pyetja juridike ishte e thjeshtë: a mund ta justifikojë media publikimin e fotografive private vetëm me faktin se personi është i njohur dhe publiku është kurioz për jetën e tij? Më 24 qershor 2004, GjEDNj-ja konstatoi shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane, për respektimin e jetës private. Gjykata theksoi se publikimi që synon thjesht të kënaqë kuriozitetin e publikut nuk kontribuon domosdoshmërisht në një debat me interes të përgjithshëm.
Roli i AMA-s
Në Shqipëri, nuk mund të ndalohet që një individ, i cili e sheh një material të tillë në platformat dixhitale që ka në dispozicion, të bëhet pjesë e turmës. Por mund të frenohet publikimi në media i çdo materiali që cenon privatësinë e personit. Në këtë drejtim, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) luan një rol të rëndësishëm në ndalimin ose frenimin e shkeljeve masive të privatësisë. Gjithçka varet nga lloji i shkeljes, por AMA ka kompetenca ligjore kur bëhet fjalë për përmbajtje mediatike, publikime në internet apo përhapje të paautorizuar të të dhënave dhe materialeve private. Parimi bazë është se e drejta e publikut për t’u informuar nuk i jep askujt të drejtën të cenojë jetën private të një personi.
Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, thotë se:
“Kodi i Transmetimit i AMA-s, i miratuar në 10.07.2023, konkretizon këto detyrime. Në mënyrë të veçantë, “E drejta për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale”, parashikon se ofruesit e shërbimeve mediatike audiovizive respektojnë jetën private dhe familjare, shtëpinë, shëndetin dhe korrespondencën e çdo personi; përcakton se shpërndarja e informacionit për publikun, përfshirë fotografi ose pamje nga jeta private pa pëlqimin e personit të prekur, është e pranueshme vetëm kur interesi publik tejkalon të drejtën e tij për privatësi dhe/ose mbrojtjen e të dhënave personale; kërkon që përpunimi dhe publikimi i të dhënave personale të lidhen me qëllimin e publikimit dhe të mos e tejkalojnë atë. AMA ka përdorur kompetencat e saj ligjore për të parandaluar dhe trajtuar rastet kur përmbajtjet mediatike tejkalojnë kufijtë e interesit publik dhe cenojnë të drejtat themelore të qytetarëve, në përputhje me fushën e saj të kompetencave dhe procedurat ligjore në fuqi. Në këtë kuadër, Autoriteti ka intensifikuar gjithashtu bashkëpunimin me platformat digjitale, TikTok dhe X, përmes mekanizmave të komunikimit dhe koordinimit që synojnë adresimin më të shpejtë të përmbajtjeve të dëmshme ose të paligjshme, veçanërisht kur ato cenojnë privatësinë, sigurinë dhe dinjitetin e përdoruesve”.
Krasniqi përfundon se interesi publik nuk duhet të ngatërrohet me kuriozitetin publik, ndërsa përgjegjësia e medias dhe e platformave digjitale mbetet thelbësore për garantimin e një mjedisi informimi që respekton të drejtat themelore dhe vlerat demokratike.
Mjetet ligjore në dispozicion të viktimës
Legjislacioni shqiptar ofron disa rrugë për zgjidhjen e këtyre çështjeve. Personi mund të kërkojë në gjykatë shpërblimin e dëmit jopasuror sipas nenit 625 të Kodit Civil. Nëse ka edhe humbje ekonomike të provueshme, mund të kërkojë edhe dëmin pasuror, kur plotësohen kushtet ligjore. Neni 647/a përcakton kritere për vlerësimin e dëmit që lidhet me cenimin e nderit, personalitetit ose reputacionit. Mjeti më shtrëngues mbetet kallëzimi penal, pasi për disa nga këto vepra parashikohet dënim me heqje lirie.
Hallka e harruar: publiku
Kur dikush hyn pa leje në hapësirën private të një njeriu, e regjistron, e vjedh ose e shpërndan, problemi moral nuk qëndron te fakti se dikush kishte një jetë intime, por te fakti se dikush tjetër vendosi se ajo jetë intime mund t’i përkiste publikut. Këtu teknologjia bëhet provë e karakterit njerëzor. Pyetja nuk është më vetëm nëse një material mund të shihet, por nëse dikush ka të drejtë ta shohë dhe nëse, duke ditur se është shpërndarë pa pëlqim, bëhet pjesë e shkeljes.
Çfarë ndodh me dinjitetin e njeriut kur një moment i tij privat kthehet në argëtim për miliona njerëz? Ky është paradoksi i epokës dixhitale: teknologjia dha mundësinë për të regjistruar gjithçka, por jo të drejtën për të publikuar gjithçka. Mundësia teknike nuk është e njëjtë me të drejtën morale. Në debatin publik flitet shpesh për personin që e vodhi materialin, për atë që e publikoi dhe për platformën që e lejoi të qarkullonte, por anashkalohet një hallkë e zinxhirit: publiku.
Shqipëria ka ndërtuar tashmë një kuadër ligjor pothuajse të plotë për mbrojtjen e privatësisë, megjithate cështja nuk qëndron në krijimin e normave të reja, por në garantimin e mbrojtjes efektive të individit përballë ekspozimit të pajustifikuar publik. Kjo kërkon përgjegjësi më të qarta, mjete ankimi më efektive dhe një ekuilibër të drejtë ndërmjet lirisë së shprehjes dhe respektimit të jetës private.
Ky tekst u hartua në kuadër të projektit MediaLit, të zbatuar nga Centre for Civic Education (CGO) në partneritet me Helsinki Committee for Human Rights in Serbia, Helsinki Committee for Human Rights in North Macedonia, Tirana Centre for Journalistic Excellence në Shqipëri dhe Atlantic Initiative në Bosnjë dhe Hercegovinë. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të e Qeverisë së Malit të Zi. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e CGO, të organizatave partnere, apo të donatoreve.















