Vajza më e vogël e Bruce Willis dhe Demi Moore ka zbuluar se është diagnostikuar me autizëm. Tallulah Belle, 30 vjeç, foli për herë të parë për çrregullimin e saj në rrjetet sociale, duke shpjeguar se diagnoza erdhi verën e kaluar dhe se i ndryshoi jetën.
Për t’ua shpjeguar fansave patologjinë e saj, Tallulah nxorri një video nga e kaluara kur ishte fëmijë dhe ishte në një premierë filmi me babanë e saj. Në video, vajza e vogël shihet duke luajtur me veshin e Bruce Willis dhe duke i prekur vazhdimisht kokën. “Më thuaj se je autik pa më thënë se je autik”, shkroi ajo në mbishkrim. “Kjo është në fakt hera e parë që e ndaj publikisht diagnozën time – shtoi ajo. E zbulova këtë verë dhe më ndryshoi jetën”.