Bie lindshmëria/ Korea e Jugut shpërblim 75 mijë dollarë për cdo fëmijë që lind

Vendi aziatik që vuan pasojat e krizës së rëndë po përdor të gjitha politikat e mundshme për ta zbutur atë. Ndoshta leksioni që vjen nga Koreja e Jugut mund t’ju shërbejë vendeve të tjera që përballen aktualisht me probleme të ngjashme, para se kriza të bëhet e pamenaxhueshme 

Grupi korean i ndërtimit Booyoung po u ofron punëtorëve një bonus prej 75,000 dollarësh për çdo fëmijë që ata lindin, një nga shumë stimujt tërheqës që ofrohen ndërsa politikanët dhe kompanitë përballen me krizën demografike të vendit.

“Nëse niveli i lindjeve në Kore mbetet i ulët, vendi do të përballet me zhdukjen e popullsisë,” u tha punonjësve muajin e kaluar kryetari i Booyoung, Lee Joong-keun.

Shkalla totale e fertilitetit në Korenë e Jugut – numri mesatar i fëmijëve që një grua pritet të lindë gjatë jetës së saj – ra nga 0.78 në 2022 në 0.72 në 2023, sipas shifrave zyrtare. Kjo do të thotë se nëse lindshmëria vazhdon të bjerë, popullsia në të ardhmen do të vijë duke u tkurrur, kryesisht ajo aktive.

Popullsia në vendin e zhvilluar aziatik parashikohet të bjerë në 0.68 këtë vit, shumë më poshtë se 2.1 që OECD thotë se është e nevojshme për të siguruar një popullsi gjerësisht të qëndrueshme.

Udhëheqësit politikë kanë rritur premtimet për stimuj financiarë për prindërit përpara zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen. Partitë nga i gjithë spektri politik që kanë njoftuar propozime që variojnë nga shtesat më bujare për strehimin dhe lehtësimet tatimore deri te leja e detyrueshme e atësisë për baballarët dhe subvencionet e zgjatura për programet e ngrirjes së vezëve.

“Shpresoj që çdo agjenci qeveritare t’i qaset çështjeve të nivelit të ulët të lindjeve me vendosmëri të jashtëzakonshme,” u tha presidenti Yoon Suk Yeol ministrave në dhjetor. – “Kjo është një çështje e mbijetesës së vendit,” – tha kreu i opozitës Lee Jae-myung teksa shpalli programin e partisë së tij në janar. “Është një sfidë e afërt pikërisht në pragun tonë, jo një shqetësim në të ardhmen e largët.”

Efektet e krizës tashmë po ndihen. Në vitin 2022, numri i personelit ushtarak të Koresë së Jugut ra nën 500,000 për herë të parë, ndërsa universitetet dhe shkollat ​​raportuan se numri i studentëve u pakësua, kurse kopshtet e fëmijëve po shndërrohen në azile pleqsh. Vitin e kaluar, në Korenë e Jugut u shitën më shumë karroca për kafshët shtëpiake sesa për foshnjat.

“Ajo që njerëzit po përjetojnë tani në Korenë e Jugut nuk është rezultat i shkallës së fertilitetit 0.7, por i asaj kur shkalla e fertilitetit ishte 1.2,” – tha Choi Seul-gi, një studiues në Institutin e Zhvillimit të Koresë. “Do të bëhet shumë më keq.”

Ekonomistët vërejnë se Koreja e Jugut përballet me sfida të rënda fiskale pasi qeveria është e detyruar të mbështesë popullsinë e saj, që po plaket me shpejtësi. Sipas Institutit Korean të Shëndetit dhe Çështjeve Sociale, produkti i brendshëm bruto do të jetë 28 për qind më i ulët në vitin 2050 sesa në vitin 2022, pasi popullsia në moshë pune pritet të tkurret me pothuajse 35 për qind gjatë 25 viteve të ardhshme.

Përqindja e atyre të moshës 65 vjeç do të rritet në 25.5 për qind në 2030 dhe 46.4 për qind në 2070. Sipas OECD, 40.4 për qind e koreano-jugorëve mbi 65 vjeç jetojnë në varfëri relative, shkalla më e lartë në botën e zhvilluar, ndërsa fondi kombëtar i pensioneve të vendit parashikohet të mbetet pa para, në pak më shumë se 30 vjet.

“Koreja po përballet me një krizë të paprecedentë,” tha Oh Suk-tae, një ekonomist në Société Générale, në Seul. “Vendi së shpejti do të fillojë të përjetojë rritje negative, ndërsa popullsia tkurret. Do të ketë probleme serioze sociale në lidhje me sigurimet shëndetësore, pensionet publike, arsimin dhe fuqinë punëtore, atë ushtarake”.

Sipas statistikave zyrtare, një çift i porsamartuar në Korenë e Jugut ka mesatarisht borxhe të kombinuara prej 124,000 dollarësh. Të rinjtë përballen gjithashtu me rritjen e kostove të shkollimit mes konkurrencës së ashpër për vende të kufizuara në universitetet elitare dhe kompanive të mëdha, si dhe për strehimin.

“Kompanitë janë plotësisht të vetëdijshme se duhet të luajnë një rol për të zgjidhur problemin e lindjeve të ulëta dhe po bëjnë përpjekje për të përmirësuar kulturën e punës, në mënyrë që ta bëjnë më të lehtë për punonjësit të punojnë dhe të rrisin fëmijët përmes një ekuilibri punë-jetë,” tha Yoo Il-ho, udhëheqës i ekipit të punësimit në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Koresë.

Disa kompani duket se kanë gjetur sukses me stimujt e tyre. Gjigandi i shitjes me pakicë Lotte është mburrur me një normë fertiliteti midis punonjësve të tij prej më shumë se dy që kur prezantoi programet e detyrueshme të pushimit të lehonisë dhe atësisë në vitin 2012. Punonjëset femra në Lotte kanë të drejtë për dy vjet pushim lehonie përveç pushimit tre mujor të garantuar nga shteti.

Por ekspertët paralajmërojnë se stimujt financiarë nuk kanë funksionuar gjithmonë. Ndërmjet viteve 2006 dhe 2023, Koreja e Jugut ka shpenzuar 270 miliardë dollarë për politika që variojnë nga pagesat me para në dorë deri te shërbimet e subvencionuara të kujdestarisë së fëmijëve dhe trajtimet e infertilitetit, sipas zyrës së buxhetit të parlamentit të Koresë së Jugut.

“Qeveritë e njëpasnjëshme e kanë trajtuar këtë si një çështje kostoje, por koreanët relativisht të pasur nuk kanë as fëmijë,” tha Lee Sang-lim, kreu i qendrës së monitorimit demografik në Institutin Korean të Shëndetit dhe Çështjeve Sociale. – “Çështja është presioni i fortë konkurrues nën të cilin janë të dy gratë dhe burrat e rinj koreanë, qoftë në arsim, në tregun e punës ose në tregun e banesave,” shtoi Lee.

Shumë ekspertë cituan gjithashtu qëndrime të rrënjosura sociale që e vështirësuan ndërtimin e karrierës së grave, për të ngritur një familje. – “Nëse kam një fëmijë, kjo do të thotë thjesht më shumë argumente, sepse jeta ime do të reduktohet si dado duke u marrë me punë shtëpie,” tha Yoon So-yun, një mësuese e shkollës së mesme 41-vjeçare nga Seuli. “Më duhej të zgjidhja mes karrierës sime dhe të pasurit një fëmijë.” Sado i mrekullueshëm të jetë nxitja prej 75,000 dollarësh e Booyoung, nuk është as gjysma e asaj që Yoon thotë se do t’i duhej. “Nëna ime dëshiron që unë të kem një fëmijë, kështu që i thashë me shaka se nëse më jep 200,000 dollarë, atëherë do të kem një fëmijë”, – thotë mësuesja koreano-jugore.

ME TE SHIKUARAT

Facebook
Facebook
Twitter
LinkedIn