Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka vijuar dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme në kuadër të gjyqit për aferën “Partizani”, ku është thirrur në cilësinë e kallëzuesit të çështjes.
Gjatë dëshmisë, Balla deklaroi se procesi i privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” nuk është zhvilluar sipas procedurave ligjore dhe se sipas tij janë shfrytëzuar lidhje personale dhe familjare në këtë proces.
“Brenda 6 muajve është bërë procedura e njohjes dhe kthimit të pronës. Kompleksi ‘Partizani’ ishte hequr nga plani i ushtrisë,” u shpreh Balla.
Ai shtoi se për privatizimin është krijuar kompania “HomePlan”, ku sipas tij një nga personat e përfshirë në çështje ka transferuar aksione te persona të tjerë të lidhur me procesin.
Balla theksoi gjithashtu se, sipas tij, lidhjet familjare kanë ndikuar në përfitimin e pronës dhe zhvillimin e shpejtë të procedurave.
“U shfrytëzua lidhja shkak-pasojë për të përmbyllur procesin e njohjes dhe privatizimit me një vlerë qesharake, ku në një kohë të shkurtër janë marrë të gjitha lejet për ndërtimin e 17 godinave, aty ku ka qenë një klub sportiv,” deklaroi ai.
Pjesë nga deklarata e Ballës
Që prej vitit 2012 e në vijim kam paraqitur dyshimet e mia për mënyrën se si është proceduar nga organet përgjegjëse për privatizimin e Partizanit. Në vlerësimin tim, ky proces privatizimi nuk është zhvilluar sipas procedurave ligjore dhe personat kanë shfrytëzuar koncesionet e tyre dhe lidhjet familjare lidhur me këtë proces. Nga një numër shumë i madh provash, binte në sy se si, në një mënyrë kaq të shpejtë, ishte kryer vetëm një privatizim.
Në Shqipëri, gjatë gjithë këtyre viteve, ish-pronarët vuajnë për pronat e tyre. Brenda 6 muajve ishte bërë procedura e njohjes dhe kthimit të godinës. Ajo që vumë re në atë kohë ishte se si një kompleks si Partizani ishte hequr nga plani i ushtrisë. Në një dokument rezultonte se ishte në plan përhapjeje, në tjetrin jo. Ndaj i kërkova prokurorisë të hetonte.
Në vlerësimin tim, dy godina të mëdha me sipërfaqe të konsiderueshme nuk mund të vlerësoheshin me 10 milionë lekë të reja. Ishte e dyshimtë se si kishte mundësi që, në një kohë prej vetëm 6 muajsh, të bëhej e gjithë kjo. Kjo përbënte dalje nga normat mesatare kohore që ndiqen për prona të tilla.
Në vlerësimin tim të bërë në kallëzim, kemi hedhur edhe dyshimin që kishim të bëjmë me një formë të fshehjes së pasurisë apo të ndërmjetësimit të paligjshëm. U krijua një kompani “Homeplan” me pronar një nga të akuzuarit, rezultoi se pronari ja kaloi % e aksioneve dy personave te tjerë që ishin përfshirë në këtë proces. Sali Berisha për shkak të pozicionit si kryeministër, përfitonte nga këto lidhje dhëndri i tij. U shfrytëzua lidhja shkak-pasojë, për të përmbyllur procesin e njohjes, privatizimit me një vlerë qesharake, ku në një kohë të shkurtër janë marrë te gjitha lejet për ndërtimin e 17 godina, aty ku ka qenë një klub sportiv.















