Ashtu sic ishte bërë me dije disa kohë më parë, Dua Lipa është zgjedhur nga prestigjozja “Time” si një prej 100 njerëzve më me ndikim në botë, duke u shfaqur së fundmi edhe në kopertinën e revistës, teksa ka ndarë në intervistën përkatëse disa detaje nga karriera dhe jeta personale, ku ka theksuar fuqinë e manifestimit dhe sigurisht, krenarinë për rrënjët shqiptare.
Kështu, artistja e talentuar ka zbuluar se që e vogël i ka shkruar gjithnjë gjërat që ka ëndërruar për veten, duke planifikuar kështu në një farë mënyre të ardhmen (meqë ra fjala Dua njihet për planfikimin deri në detaj të cdo dite të saj), por edhe duke parashikuar suksesin le ta themi kështu, ndërsa për fuqinë e manifestimit u shpreh:
“Që kur kam qenë fëmijë, kam shënuar gjërat që kam ëndërruar për vetën time. Gjithnjë kam planifikuar më përpara. Edhe pse lindin surpriza rrugës, unë i vlerësoj në këtë moment, gjithmonë kam një objektiv afatgjatë. Asnjëherë nuk e di se çfarë mund të realizohet. Unë kam shumë besim me gjërat që vendos në këtë botë. Në mënyrë të pavetëdijshme, ti punon për të. Asgjë nuk është shumë e madhe (nëse e dëshiron)…”
Ndërkohë, Dua ritregoi edhe njëherë historinë e saj, se si lindi nga Londër nga prindër kosovarë, u kthye me ta në vendin e saj, por më pas vendosi të shkojë e vetme sërish në Britani, atje ku ndoqi ëndrrën e vet të madhe, megjithatë krenarinë për Kosovën e Shqipërinë dhe se sa e rëndësishme është origjina për të, ajo nuk heziton ta pranojë, duke thënë:
“Jam nga dy vende në të njëjtën kohë. Të jem kosovare është një pjesë shumë e rëndësishme dhe fakti që mora nënshtetësinë shqiptare ka qenë shumë emocionues (në vitin 2022)”
Sa i takon Kosovës, qytetarëve të saj, rinisë e gjithcka tjetër që lidhet me vendin që Dua i ka dhënë dhe premton t’i japë më shumë, artistja tha:
“Mundësia për të udhëtuar lirisht është shumë e rëndësishme (për të rinjtë në Kosovë). Ne kemi qenë fëmijë me ëndrra dhe shpresa të mëdha dhe donim të udhëtonim rreth e qark botës dhe të eksploronim. Ata duan të përparojnë, të rriten dhe të shpresojnë se mund të dëgjohen në mënyra të tjera. Tani që pasaporta e tyre ka vlerë është diçka shumë e mirë. Kur unë dhe im atë bëjmë festivalin në Prishtinë, sjellim njerëzit nga e gjithë bota dhe ata vijnë dhe shohin që gjërat janë ndryshe nga ç’e presin (vendi i pas luftës)..”