Kryebashkiaku i ri i Himarës, Vangjel Tavo, dhe rivali i tij në zgjedhjet lokale, Petraq Gjikuria, janë përfshirë në një përplasje virtuale me akuza dhe replika ndaj njëri-tjetrit.
Tavo i ka ripërsëritur ftesën Gjikurisë që të mos kthehet në SHBA, por të bashkëpunojë në administratën e bashkisë si zv/kryetar. Në fillim, Gjikuria kishte theksuar se procesi i votimit ishte i qetë dhe se ai besonte në fitore, pavarësisht se disa qytetarë nuk arritën të votojnë, dhe kishte shprehur gatishmërinë për të pranuar verdiktin e popullit.
Megjithatë, pas përfundimit të zgjedhjeve, Gjikuria akuzoi për deformime të procesit dhe ngriti pretendime për parregullsi. Ky reagim i tij ka habitur edhe Tavo-n, i cili zbuloi se kishte marrë një telefonatë nga rivali i tij, ku Gjikuria i kishte uruar fitoren për Bashkinë e Himarës.
“Himara kishte një arsye të madhe për t’u gëzuar sepse ishte ajo fituesja e 4 gushtit, sikurse edhe unë e kisha dhe e kam zemrën plot nga mesazhet e pafundta të urimeve nga shumë e shumë banorë të Himarës, e mbështetës brenda e jashtë vendit.
Por, një shkëndijë më shumë e këtij gëzimi ishte edhe telefonata juaj e urimit e para pak orëve. E vlerësova shumë dhe e pranova sinqerisht si një akt qytetarie dhe si sjellje e një njeriu me mendësi të hapur perëndimore, por, pa e mohuar, e prita edhe me shpresën se po më telefonoje për të pranuar ftesën time publike për t’iu bashkuar programit tonë të drejtimit të Bashkisë Himarë në pozicionin e zëvendëskryetarit.
Por, pritshmëria ime e lartë ndaj teje zgjati vetëm pak e tani jam i keqardhur për reagimin tënd, a thua se Himara është një fushë betejash ku përballen ushtri armike dhe jo alternativa politike dhe qytetare, si në të gjithë Shqipërinë demokratike”, shkruan Tavo në reagimin e tij duke iu përgjigjur Petraq Gjikurisë.