Nis ditën e nesërme dhe për 1 javë rresht Pelegrinazhi i madh i Bektashinjve në malin e Tomorrit. Për të shmangur problemet në lidhje me këtë organizim të madh, DVP Berat ka ndërmarrë një plan të detajuar masash. Policia e Beratit, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Berat, Kuçovë dhe Skrapar, janë angazhuar me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e krimit dhe rritjen e sigurisë rrugore dhe garantimin e qarkullimit të lehtësuar të mjeteve e këmbësorëve, para, gjatë dhe pas zhvillimit të pelegrinazhit në “Malin e Tomorrit”, pelegrinazh i cili do të zhvillohet gjatë periudhës 18-25 gusht 2024. Në zbatim të këtij plani masash, janë planizuar shërbime shtesë në të gjitha akset rrugore që të çojnë në Malin e Tomorrit si dhe në ambientet e jashtme të objektit të kultit (Teqesë) në këtë mal.
Detyrat e planifikuara në këtë plan masash do të përballohen nga shërbimet e DVP Berat, në bashkëpunim me FNSh Fier, Njësinë Operacionale për Sigurinë Rrugore, forcat zjarrfikëse, Spitalin Rajonal Berat, organet e pushtetit vendor dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Të gjitha detajet e planit të masave i ka bërë me dije në një komunikim për mediat, Zv.Drejtori për Sigurinë Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, Luan Mema, i cili ka shpjeguar edhe itinerarin e lëvizjes së mjeteve gjatë ngjitjes dhe zbritjes nga mali si dhe kufizimet e qarkullimit.