Arrestimi brutal i Metës shfaqi hapur, përtej interpretimeve të mediave rozë të pushtetit, nervozizmin që ka kapluar SPAK-un. Për të shpërqëndruar vëmendjen e publikut dhe për t’i dhënë pak kohë vetes e Ramës, SPAK konkludoi me shpejtësi një hetim i cili kishte gjashtë vite që vijonte pa asnjë pengesë, fill pas arrestimit të sforcuar të deputetit të listës “së zezë” të Durrësit, Jurgis Çyrbes. Megjithëse SPAK u mundua ta shiste atë si një arrestim normal për shpërdorim detyre, informacionet rrodhën dhe tronditshëm opinioni mësoi se Çyrbja ishte maja e ajsbergut të një krimi akoma më të madh, brenda të cilit është përfshirë e gjithë kupola e PS bashkë me vetë Ramën. Sipas gazetarëve investigativë në dosjen “Çyrbja”, komunikimet midis grupeve kriminale dhe përfaqësuesve politikë socialistë, zbulojnë rolin aktiv të bandave në skemën e grabitjve të votave dhe faktojnë dominacën politike të tyre në vendimmarrjen politike. Këto grupe jo vetëm kanë influenca ekonomike të pastra e të pista të stimuluara nga Rama e pushteti i tij, por sipas komunikimeve i përcaktojnë kryeministrit dhe emrat e deputetëve dhe vendin e tyre në listë. Këto koncesione shoqërohen me angazhime elektorale të grupeve kriminale por që nuk përfundojnë këtu. Ato shtohen pas “fitoreve historike” të Ramës me shërbime e benifite shumëfishe, që përfshijnë dhe lobime për të pastruar aktivitetet kriminale, pranë dhe vetë SPAK. E gjithë kjo zbulesë kriminale, e denoncuar pareshtur nga opozita, më e rënda e ndodhur në historinë politike të shtetit shqiptar, pritet të prodhojë një tërmet politik të jashtëzakonshëm. Tërmet i cili mund prekë dhe vetë SPAKU-n tashmë të tronditur jo pak nga Toyota Yaris. Kjo dosje zbardh skemën e fusionit krim-politikë që qëndron në themel të narko-shtetit të sotëm. I gjendur në vështirësi midis vetes dhe Ramës, SPAK po mundohet të manovrojë. Arreston Metën për të krijuar ngjarje themelore, nxit Gjykatën në rastin Berisha, po përgatit një valë tjetër fletë-arrestesh për disa anëtarë grupesh, vetëm e vetëm për t’i dhënë kohën e mjaftueshme mentorit të vet Ramës që ky i fundit të mund të shpëtojë e të gjejë rrugëdaljen e situatës në të cilën është kapur si laraska dhe kësisoj t’i zbardhë faqen e nxirë dhe vetë SPAK-ut. Dosja Çyrbja djeg shumë dhe SPAK gjendet sot në vështirëse e nuk do kishte dëshirë që ta hapte atë, sepse të gjitha komunikimet aty të çojnë tek koka e krimit, Rama. Aq më tepër kjo dosje e rikthen SPAK-un tek hijet e së kaluarës dhe dëshmon komandimin e tij politik: Tek krimi elektoral i dosjes 339. Çyrbja nuk është fillimi, por vazhdimi i këtij krimi e nuk mbaron aspak këtu. Personazhet janë pothuaj të njëjtë, por me galeri të shtuar si nga grupet ashtu dhe nga politika. Ndërsa ky krim është kompleksi më i madh i SPAK-ut të cilin për arsye të pathëna por të kuptueshme, në 2020, ai nuk pranoi ta hetojë. Njëherazi është kufiri që Rama ia ka vendosur atij tek thana. 339-ën SPAK e dështoi me sukses, duke ia kaluar për kompetencë prokurorisë së Durrësit. Po kështu bëri dhe me Gjushin, të cilin e amnistoi duke e akuzuar vetëm për shpërdorim detyre, ndërkohë që te gjithë e dinin që ishte stërmullari i skemës. Këtë tentoi ta realizonte dhe me Çyrben i cili “papritur e pa kujtuar”, hoqi dorë nga mandati. U mundua, por presioni i partnerëve ishte i fortë dhe sot dilema e SPAK mbetet shekspiriane. Çdo avancim sipas fakteve të kësaj dosje-dëshmojnë gazetarët-do çonte në arrestimin e Ramës e shpurës së tij dhe do hidhte në erë, çdo gjë politike të arritur deri më tani nga ai, sikurse do mbyllte një nga kapitujt me të zi politikë të kohës sonë. Nuk do SPAK apo s’mundet ta bëjë?-shtrohet pyetja. Duket se deri më tani, as nuk do e as nuk mundet. Por megjithatë zarët me dosjen Çyrbja tashmë janë hedhur… Dielli nuk mbulohet me shoshë!