Kryeministri Edo Rama ndodhet në Baku të Azerbajxhanit, ku po merr pjesë në Samitin e Klimës COP 29. Gjatë vizitës atje, Rama është takuar me Presidentin e Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed.
Kreu i qeverisë thotë se ka biseduar me kreun e Emirateve për ecurinë e disa projekteve të rëndësishme, që po hyjnë në fazën e zbatimit.
Sipas tij këto projekte janë krijimi i kompanive të përbashkëta publike të prodhimit të energjisë (KESH-Mazdar), shtypshkrimi i letrave me vlerë, linja e interkonjeksionit me Italinë në partneritet tripalësh.
“Mbrëmë me Presidentin e Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed, një mik i rrallë dhe dashamirës i madh i Shqipërisë, me të cilin folëm për ecurinë e mirë të disa projekteve të rëndësishme që po hyjnë në fazën e zbatimit, nga krijimi i kompanive të përbashkëta publike të prodhimit të energjisë (KESH-Mazdar) dhe shtypshkrimit të letrave me vlerë, linja e interkonjeksionit me Italinë në partneritet tripalësh, e deri tek sistemi i ri digjital i kontrollit të trafikut; zhvillime tejet të rëndësishme për forcimin dhe modernizimin e sektorit publik në Shqipëri”, shkruan Rama.