Ka dëshmuar Isuf Hasa, autori i dyshuar i vrasjes së 81-vjeçarit në Zall-Bastar.
Hasa u arrestua ditën e djeshme pasi dyshohet se ka vrarë 81-vjeçarin Xhemal Meta në shtëpinë e tij.
Në dëshminë e tij, Hasa tha se viktima e bullizonte dhe ofendonte dhe gjithashtu i ngacmonte bashkëshorten.
Më pas ka rrëfyer se pas krimit është larguar me një makinë drejt shtëpisë së vajzës në Vorë.
“Në mëngjes shkova në shtëpinë e Xhemalit dhe pimë kafe. Pasi mbaruam aty vendosëm të shkonim në lokalin e fshatit. Në oborrin e shtëpisë së tij pashë ku ishte çekiçi. E mora dhe e qëllova nga mbrapa. Kishte shumë kohë që më bullizonte dhe më ofendonte. Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan. Unë punoj roje nate në Dajt dhe kishte raste nuk shkoja tre netë në shtëpi.
Xhemali më merte në telefon dhe më thoshte: “Si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas”. Kisha kohë që nuk po e duroja dot. Pasi e vrava i mora lekët. E dija që kishte sepse mi kishte treguar ai vetë. Më pas kam shkuar tek stacioni elektrik dhe deri në Tiranë kam zbritur me një makinë të tyre. Më pas shkova tek shtëpia e vajzës në Vorë”.
Burime nga policia bëjnë me dije se Isuf Hasa është shoqëruar edhe pas ngjarjes dhe është lënë i lirë qëllimisht nga policia, ndërsa fillimisht mohonte të kishte lidhje me ngjarjen. Por më pas, nëpërmjet edhe provave, agjentët shkuan për ta arrestuar. Këtë herë, ai u prangos në shtëpinë e tij, në Zall-Bastar.