Shpërthen diga e Hidrocentralit në Bunec të Lukovës. Si rrjedhojë është bllokuar rruga nacionale Sarandë – Himarë. Në vendngjarje ndodhet dhe kryetari i bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, si dhe shërbimet policore të Sarandës.
Aktualisht rruga nacionale, Lukovë- Bunec kalohet vetëm nga automjete të rënda, ndërsa furnizimi me ujë i kanalit është ndërprerë nga diga në burimin e lumit Kalasë.
Uji ka hyrë në 2 biznese bar restorante në Bunec, ndërkohë nga vërshimi i ujit kanë pësuar dëme edhe 10 biznese të tjera.
Ende mbeten të paqarta shkaqet e çarjes së kanalit.
“Sot, rreth orës 12:38, në Bunec, Lukovë, dyshohet se është çarë diga e hidrocentralit, duke krijuar rrezik për përmbytje. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe emergjencave civile, të cilat po punojnë për të siguruar evakuimin e çdo personi që mund të jetë në rrezik. Deri tani janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa situata po monitorohet nga afër për të shmangur pasoja të tjera. Policia fton qytetarët që të shmangin lëvizjet në zonën e rrezikuar dhe të raportojnë menjëherë për çdo rast emergjence.”- njofton policia.