Policia ka zbardhur rolet e anëtarëve të grupit kriminal që rekrutonin vajza nga Amerika Latine dhe i detyronin të punonin si punonjëse seksi në Shqipëri, ndërsa u zbulua në Tiranë edhe një hotel ku ushtronin prostitucion.
Bëhet e ditur nga informacionet policore se në pranga në kuadër të operacionit ndërkombëtar, kanë rënë shtetasit: Assel Adrysheva, Rostyslav Mieshkov, Denis Berisha, Mirel Shperdheja, Dritan Sukaj, Ilmar Gugashi dhe Kejvin Ndreu.
Në Kolumbi është arrestuar organizatori i grupit, shtetasi kolumbian Lukas Betancur. Në Shqipëri, ekzekutohen masa sigurie (7 prej tyre “Arrest në burg”), për 9 pjesëtarë të grupit kriminal.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe Policinë Kombëtare të Kolumbisë, Policinë kroate, EUROPOL dhe EUROJUST.
Në kërkim janë shpallur 2 shtetas të tjerë, pjesëtarë të grupit, dhe janë proceduar penalisht 48 shtetase të huaja për ushtrim prostitucioni.
Hetimet kanë zbuluar edhe hotelin që ndodhe në rrugën “Reshit Collaku”, ku edhe akomodoheshin dhe shfrytëzoheshin për prostitucion, disa nga shtetaset e huaja.
Janë sekuestruar nga policia shuma parash, 7 celularë dhe prova të tjera të vlefshme për hetimin.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi Lukas Betancur 25-vjeç që ishte edhe organizatori i veprimtarisë kriminale, kishte rolin kryesor në rekrutimin e vajzave nga vendet e Amerikës Latine dhe në organizimin e udhëtimit dhe akomodimit të tyre në Shqipëri, ku më pas ato detyroheshin të ushtronin prostitucion.
Në rast refuzimi, 25-vjeçari ushtronte presion dhe kërcënime ndaj vajzave dhe familjarëve të tyre në Kolumbi. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për hetime të mëtejshme.