16 vjet shtet, qeveria e Kosovës zbulon logon zyrtare:Kosovë, ne të dalim zot
“Logoja zyrtare shtetërore për shënimin e 16-të vjetorit të Pavarësisë dhe programi i plotë i manifestimeve shtetërore për shënimin e 16-vjetorit të Pavarësisë, 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë në sheshet e Prishtinës janë valëvitur flamuri i Kosovës, Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Mesazhi I Albin Kurtit
Kryeministri Albin Kurti ka falenderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në çlirimin e vendit dhe në rrugën drejt pavarësisë. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, për të cilët tha se do t’u jenë përgjithmonë falenderues.

“U jemi falenderues të gjithë atyre që kanë kontribuar në luftën tonë çlirimtare dhe në procesin tonë të pavarësisë. Mirënjohje e veçantë partnerëve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë për rrugëtimin tonë të përbashkët të konsolidimit të shtetit dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë. Gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falenderues”, ka thënë Kurti në mbledhjen festive të Qeverisë.
Kurti tha se Kosova është “shtëpia e përbashkët”, që u ndërtua me mbështetjen e aleatëve.
“Pas luftës shkatërruese 1998-1999, në rindërtuam shtëpitë tona. Me mbështetjen nga aleatët tanë ndërkombëtarë, ne ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët, Republikën e Kosovës. Një Republikë parlamentare e mirëfilltë, me drejtësi e barazi për qytetarët e saj, kontribuese në paqe dhe garanci për paqe. Një shtet që vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut e të gjitha pakicave dhe drejtësinë sociale e solidaritetin, i ka në thelb të çdo kursi politik dhe shoqëror. Një çerek shekulli pas luftës, Republika jonë qëndron e fortë. Ne qëndrojmë krenarë sepse përkundër sfidave, shteti ynë po zhvillohet”, tha Kurti.
Kurti uroi të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë ditë dhe tha se Republika e Kosovës ishte, është dhe do të jetë shtëpia e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim.
“Ashtu sikurse ditën kur u shpall, 16 vite më parë, ashtu edhe sot si dhe çdo ditë më tej, Republika e Kosovës ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim. Andaj sot festojmë e urojmë e përgëzojmë jo vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet joshumicë në Republikën tonë, serbët, boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët, por edhe malazëzët, kroatët etj”, shtoi Kurti.
Mesazhi I Osmanit
Presidentja Vjosa Osmani ka uruar 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në urimin e saj në rrjetet sociale Osmani ka thënë se e duam Kosovën “Të lirë, të pavarur, sovrane e me aleatë”.
Mesazhi I Biden
Presidenti amerikan, Joe Biden, në urimin e tij për 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, inkurajoi udhëheqjen në Kosovë që të përmbushë të gjitha obligimet nga dialogu për normalizim të raporteve me Serbinë.

“Së bashku me shtetet e tjera në rajon dhe mbarë botën, SHBA-ja inkurajon udhëheqjen e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet, përfshirë edhe të gjitha marrëveshjet e arritura përmes këtij procesi”, tha Biden në urimin dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Udhëheqësi amerikan tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm “të forcuar nga vizioni ynë i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues”.
“Ne po ashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë – një hap i rëndësishëm drejt njohjes eventuale reciproke”, tha Biden.Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve, me lehtësim të BE-së, që nga viti 2011.
SHBA-ja e mbështet këtë proces, por nuk është pjesë e tij.
Mesazhi I Blinken
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar Kosovën me rastin e përvjetorit të 16-të të pavarësisë. Blinken shprehet se SHBA vlerëson partneritetin e qëndrueshëm të rrënjosur në mirëkuptimin reciprok, vlerat e përbashkëta dhe miqësinë mes dy popujve.
Sekretari Amerikan i Shtetit ka thënë se SHBA inkurajon Kosovën që të zbatojë zotimet e saj dhe të ecë përpara përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të arritur një marrëveshje reciproke të normalizimit me Serbinë, në rrugën drejt njohjes përfundimtare reciproke.
“Shtetet e Bashkuara besojnë se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe në institucionet euroatlantike. Ne mbështesim aspiratat e përcaktuara në deklaratën tuaj të pavarësisë dhe kushtetutës për të “kontribuuar në stabilitetin e rajonit dhe të gjithë Evropës duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi”, ka shkruar Blinken.
“Ne mirëpresim mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën kundër luftës brutale dhe të padrejtë të Rusisë dhe jemi mirënjohës për ndihmën bujare të Kosovës për gazetarët dhe të tjerët që kërkuan strehim në vendin tuaj. Mezi pres të thellojmë partneritetin tonë në forcimin e demokracisë dhe krijimin e kushteve që Kosova dhe të gjithë qytetarët e saj të prosperojnë në një botë më të sigurt, më stabile dhe më të begatë”, thuhet në letrën e Sekretarit Blinken.
Mesazhi i Begaj
Kosova 16 vjet Republikë.
Ajo sot është një histori suksesi në Ballkan në respektimin e të drejtave të njeriut, me kulturën e saj të gjallë dhe energjinë rinore të një populli që sheh përpara.
Kosova, shtet i pavarur, është një faktor pozitiv, paqedashës dhe i rëndësishëm për sigurinë në rajonin tonë.
Jemi dy shtete, por një komb me një gjuhë e një kulturë.
Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi të artë për të treguar se jemi të aftë të ndërtojmë shtete moderne sipas parimeve demokratike, në bashkëpunim e bashkërendim me partnerët tanë, SHBA-në dhe BE-në.
Mesazhi I Ramës
Në një reagim në Facebook, Rama bashkangjitur një fotoje, uron Kosovën për 16-vjetorin e saj si shtet i pavarur, ku shkruan: Gëzuar Pavarësinë Kosovë