Kryetari i Partise Demokratike Lulzim Basha në një intervistë për Zërin e Amerikës është shprehur se marrëveshja e fundit Rama-Berisha është në vijim të marrëveshjes së tyre që prej 2008. Ai tha se të dy, Berisha e Rama po bashkëpunojnë kundër interesave të shqiptarëve, kundër Reformës Zgjedhore për interesat e tyre.
Pjese nga intervista
Lulzim Basha: Për çdo zhvillim në Shqipëri, standarti i ri i një kulture të re politike, që ne si Parti Demokratike aspirojmë ta ndërtojmë në dialog me gjithë shoqërinë është përgjigja ndaj një pyetjeje: A i shërben shqiptarëve dhe si u shërben shqiptarëve? Nisur nga zhvillimet e fundit në Shqipëri, mund të them që paralajmërimet tona prej kohësh kanë treguar që zoti Rama dhe zoti Berisha bashkëpunojnë për interesat e tyre, por kundër intetesave të shqiptarëve.
Zëri i Amerikës: Kundër cilave interesa në këtë rast?
Lulzim Basha: Reformës zgjedhore, në veçanti. Ne kemi një kohë të gjatë që kemi paraqitur në komisionin e reformës zgjedhore propozime, të cilat shkojnë përtej interesave partiake, por janë në interes të qytetarëve. Të tillë janë propozimi për listat e hapura; që qytetarët të zgjedhin vet se cilin do të dërgojnë në parlament dhe jo kryetarët e partive. Kjo është zhbërja ‘de facto dhe de jure’, nëse propozimi do të adoptohej, i ndryshimeve kushtetuese Berisha – Rama të vitit 2008. Po kështu është propozimi ynë për barazinë e votës, sepse sot në Shqipëri, falë këtij sistemi është e qartë se nuk ka barazi vote. Me 8 mijë e 500 vota zgjidhet deputeti në Vlorë, por duhen 13 mijë e 500 vota për të zgjedhur deputetin në Kukës. Të dy këto lidhen me dy propozime të tjera që kanë të bëjnë me vendime të Gjykatës Kushtetuese si vota e diasporës, vota e shqiptarëve jashtë Shqipërisë,
Zëri i Amerikës: Komisionit më 21 mars i mbaron mandati. Çfarë do të ndodhë më tej?
Lulzim Basha: Nuk na takon ne që të themi se çfarë do të ndodhë më tej. Ajo që na takon ne është që ne do ta vazhdojmë betejën për këto parime, për këto vlera, për këto standarte, të cilat janë pjesë e vizionit tonë me koherencë dhe me kohezion me gjithë ato komponentë të opozitës pro-perëndimore dhe euro-atlantike, për të vendosur në Shqipëri në shinat proceset zgjedhore, që kanë kohë që kanë dalë prej shinave.
Mund të themi me gojën plot që Partia Demokratike ka pjesë të përgjegjësisë për këtë, qoftë me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, dhe pasojat e këtyre ndryshimeve. Prandaj them me gojën plot që pyetja e vetme që duhet t’i përgjigjet çdo politkan është: A i shërben kjo Shqipërisë? Qartësisht ajo që po ndodh nuk është në interes të qytetarëve shqiptarë, por është në interesat personale të zotit Rama dhe të zotit Berisha.















